Pikantet e Dinamo-Partizani/ Letër sekrete për Skukën, stafi i Kombëtares vihet pas derbit! Biseda e kapitenit me gjyqtarin: Pse e ktheve? (E PLOTË)
Është luajtur mbrëmjen e djeshme derbi mes Dinamos dhe Partizanit, i vlefshëm për javën e nëntë të Superiores. Veç sfidës në fushë, kishte edhe mjaft momente pikante nga tribuna.

– Për të ardhur keq se ku ka përfunduar derbi mes Dinamos dhe Partizanit, që nuk ndiqet më shumë se 300 tifozë. Një kambanë alarmi për atë që po ndodh me tifozerinë shqiptare.
– Trajnerët e Kombëtares preferojnë të ndjekin nga afër sfidën në Elbasan. Silvinjo, Zabaleta dhe Bulku u panë bashkë në tribunë.
– Një top i tepër në fushë në minutën e 13-të kur po sulmonte Dinamo detyron gjyqtarin të ndalë blutë në një aksion premtues. Glen Daja kërkon shpjegime tek gjyqtari i katërt për këtë situatë.
– Daja e shuan etjen e tij jo thjesht me ujë, por edhe me pak vitaminë brenda saj që përdorin zakonisht lojtarët.
– Në minutën e 22-të, Kërnaja nxjerr një letër nga xhepi dhe ia jep Garsias. Ky i fundit e dorëzon tek Skuka që e lexon. Mesa duket, bëhet fjalë për ndonjë skemë të vënë në zbatin nga tekniku i të kuqve.
– Në momentin e anulimit të golit të Partizanit, kapiteni Skuka replikon me arbitrin: “O vlla, kur isha unë shtrirë, ti the gol, pse e ktheve”.
– Ilir Daja acarohet tek i verdhi i Gudiabit, duke pretenduar si ishte lojtari i Partizanit ai që shkaktoi faullin ndaj tij.
– Xhuliano Skuka tërbohet me të tijtë tek autogoli i Atanaskoskit. Të kuqtë i dërgojnë topin në qendër për ta nisur lojën sa më shpejt, por kapiteni shkelmon topin fort në mënyrë demonstrative, duke mos i mbajtur dot nervat.
– Ultrasit e Partizanit mërziten me skuadrën e tyre dhe lënë stadiumin para kohe, pas golit të dytë, duke treguar haptazi pakënaqësinë e tyre për këtë humbje.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













