Pesë emra në tavolinë, trajneri i Partizanit vendoset shpejt. Kërkohet një vizion i mirëfilltë
Sezoni për Partizanin ka përfunduar pa arritur objektivin kryesor, me të kuqtë që e mbyllën kampionatin në vendin e pestë dhe pa mundësinë për të marrë pjesë në fazën finale “Final Four”.

Një përfundim që sigurisht ka lënë jo pak zhgënjim në ambientin kryeqytetas, duke qenë se ekipi për një pjesë të mirë të sezonit ishte në garë për vendin e katërt dhe për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Megjithatë, edhe pse kampionati ka përfunduar për Partizanin, skuadra nuk është shpërndarë ende zyrtarisht.
PLANI- Të kuqtë do të vijojnë të jenë të grumbulluar dhe do të vazhdojnë procesin stërvitor deri më datë 31 maj, periudhë në të cilën klubi synon të mbajë grupin aktiv edhe pas fundit të sezonit të rregullt. Vetëm pas kësaj date lojtarët do të marrin pushimet, të cilat janë parashikuar të zgjasin rreth dy javë. Më pas, skuadra do të rikthehet sërish për të nisur përgatitjet në prag të sezonit të ri, një sezon që te Partizani duan ta nisin me ide më të qarta dhe me më shumë stabilitet në çdo aspekt. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë nisur menjëherë punën për ndërtimin e projektit të ri.
TRAJNERI I RI– Prioriteti kryesor në këto momente mbetet emërimi i trajnerit të ri, i cili do të marrë përsipër drejtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit janë të vetëdijshëm se zgjedhja e trajnerit do të ketë një rol vendimtar në vazhdimësinë e projektit dhe për këtë arsye po analizojnë me kujdes të gjitha alternativat në tavolinë. Aktualisht janë pesë ose gjashtë emra që po shqyrtohen nga drejtuesit e klubit, mes trajnerëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Për disa prej tyre ka pasur kontakte konkrete dhe bisedime paraprake, ndërsa klubi po vlerëson mundësinë për të arritur një marrëveshje në ditët në vijim. Në ambientin e Partizanit ekziston bindja se sezoni i fundit u ndikua shumë edhe nga ndryshimet e shumta në pankinë. Gjatë këtij edicioni, të kuqtë ndërruan tre trajnerë dhe kjo solli jo pak luhatje në rezultate, por edhe mungesë stabiliteti në skuadër. Për këtë arsye, drejtuesit nuk duan të nxitojnë me zgjedhjen e radhës dhe synojnë të marrin kohën e nevojshme për të bërë vendimin e duhur. Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm është fakti se trajneri i ri do të ketë rol aktiv në ndërtimin e skuadrës. Klubi kërkon që tekniku i ardhshëm të jetë pjesë e vendimmarrjes sa i takon futbollistëve që do të qëndrojnë në ekip, por edhe afrimeve që do të bëhen gjatë merkatos së verës.
PROJEKTI- Te Partizani synojnë që trajneri i ardhshëm të ketë një projekt të qartë për zhvillimin e skuadrës dhe të jetë i vetëdijshëm për potencialin që ka grupi aktual. Drejtuesit kërkojnë një profil që të dijë të menaxhojë grupin, të ruajë ekuilibrat në skuadër dhe njëkohësisht të ndërtojë një ekip konkurrues për objektivat e sezonit të ardhshëm. Po ashtu, klubi dëshiron që trajneri i ri të ketë qartësi edhe në aspektin e lojës dhe të krijojë një identitet më të qëndrueshëm për skuadrën. Ndërkohë, në ditët në vijim pritet të ketë edhe takime të tjera mes drejtuesve për të diskutuar mbi projektin e ri. Madje, sipas planit, të hënën e ardhshme pritet të zhvillohet një mbledhje mes drejtuesve kryesorë të klubit, pikërisht për të analizuar situatën dhe për të marrë vendimet finale sa i përket trajnerit të ri. Në klub shpresojnë që vendimet që do të merren gjatë kësaj periudhe të jenë baza e një sezoni më pozitiv dhe më të qëndrueshëm, me Partizanin që synon rikthimin në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.
PANORAMASPORT.AL













