Përgatitjet për Breidablik/ Gruda, më i miri i ndeshjes së parë
Sipas “playmakerstats”, lojtari më i mirë i ndeshjes Egnatia- Breidablik ishte Ildi Gruda. Ndonëse nuk ka marrë ndonjë notë shumë të lartë, ai ka dalluar mbi të tjerët.

Në 13 minuta ka shënuar gol dhe është padyshim lojtari i ndeshjes së parë të Champions-it te kampionët e Shqipërisë. Ditën e martë skuadra shqiptare do të luajë në transfertë sfidën e dytë me kampionët e Islandës.
Përgatitjet e Egnatias për ndeshjen e kthimit ndaj Breidablik kanë hyrë në një fazë vendimtare dhe trajneri Edlir Tetova po mendon ndryshime të rëndësishme në formacion pas dëmtimit të mbrojtësit të majtë Edison Ndreca.
Largimi i detyruar i njërit prej titullarëve më të rëndësishëm i ka prishur jo pak planet stafit teknik, i cili tashmë po analizon mundësinë për të ndryshuar jo vetëm emrat, por edhe skemën e lojës. Tetova po shqyrton kalimin në një sistem me tre mbrojtës qendrorë, me qëllim që të ruajë balancën dhe të shmangë improvizimet në krahë.
Në këtë kuadër, një nga alternativat më të mundshme është futja e Poçit në qendër të mbrojtjes, përkrah Sotës dhe Xhemajlit, me qëllim që të fitohet më shumë qetësi dhe kontroll në prapavijë. Nga ana tjetër, gati është edhe ndërrimi kokë më kokë me Alijev, siç ka bërë në ndeshjet e fundit në kampionat sezonin e kaluar. Ky ndryshim nuk është vetëm taktik, por edhe një mesazh për skuadrën që duhet të përshtatet me çdo situatë, sidomos në një sfidë ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.
Tetova po kërkon zgjidhjen më të qëndrueshme për të mbuluar mungesën e Ndrecës dhe për të ruajtur kohezionin në prapavijë, duke e konsideruar këtë ndeshje një test të karakterit dhe inteligjencës taktike të skuadrës. E njëjta situatë edhe me pasuesin e Lushkjes, por që alternativat në ofensivë nuk mungojnë dhe ia bëjnë më të thjeshtë zgjedhjen.
PANORAMASPORT.AL













