Partizani e mbyll me 5 lojtarë, asnjë rinovim te të kuqtë
Partizani ka rënë në një qetësi më të madhe dhe më të gjatë seç pritej pas dështimit sportiv të sezonit të shkuar.
Në klubin e kuq deri më tani nuk kanë bërë asnjë lëvizje në formë zyrtare sa i përket afrimeve, por edhe largimeve. Lajmi i vetëm që qarkullon, është se trajneri Gega i ka shpallur preferencat e tij në klub dhe mënyrën se si kërkon ta ringrejë ekipin, por aktualisht nuk është ndërmarrë asnjë veprim në funksion të këtij plani.
PA KONTRATË Rinovimet janë një çështje që mbetet prezente, duke pasur parasysh se plot pesë futbollistë janë drejt mbylljes së marrëveshjeve kontraktuale me klubin. Drejtuesit kanë bërë lëvizje për rinovime të mundshme me ndonjë prej tyre, por asnjë nuk ka rezultuar produktive dhe tashmë mund të themi se askush në fund kontrate nuk pritet të rinovojë, të paktën siç është vlerësuar deri më tani.
“DËMI” Arshonzh Bintsuka është humbja më e madhe dhe ndoshta i vetmi lojtar, të cilin Partizani nuk do të donte ta humbte me parametra zero. Pavarësisht disa përpjekjeve të drejtuesve për rinovim, Bintsuka e kishte ndarë mendjen se do të largohej dhe refuzoi çdo propozim. Tashmë kongolezi ka të drejtën të firmosë me secilin klub të dëshirojë, me Partizanin, që do të mjaftohet vetëm me taksën e formimit për dy sezone që 22-vjeçari qëndroi te “Demat”. Maksimumi i kësaj shifre do të ishte diku te 40 mijë eurot. Ndërkohë, në të shkuarën të kuqtë kanë refuzuar edhe oferta që i kalonin 250 mijë eurot për të riun.
ELEKE Në pamje të parë Eleke të krijon idenë e një lojtari që mund të lërë gjurmë te Partizani, por në klub mendojnë se paga e tij e lartë nuk shkon në proporcion me atë që ai jep në fushë dhe nuk duan të vazhdojnë. Të kuqtë kërkojnë t’i japin më shumë besim Kekos, teksa në vijim përgjatë verës do të ketë edhe afrime të tjera për të plotësuar repartin pas largimeve të nigerianit dhe Bintsukës, që me siguri nuk pritet të jenë të vetmit.
DOMGJONI Mbrojtësi nga Prizreni erdhi me mjaft bujë te Partizani dhe e zuri shpejt vendin e titullarit, por palët duken drejt ndarjes. Domgjonit i skadon kontrata dhe vendimi është për të mos firmosur një të re, ndoshta e ndikuar nga aspekti financiar, por edhe nga fakti se Partizani ka mjaft opsione në qendër dhe do të duhet të ulë numrat për t’i liruar “shteg” afrimit të mbrojtësve të krahut.
TAIPI Ai është prej dy vitesh te Partizani dhe ka luajtur rregullisht, por sinjalet janë se të kuqtë nuk kanë më nevojë për eksperiencën e Taipit. Mesfushorit i skadon kontrata dhe nuk ka asnjë marrëveshje për firmë të re. Lojtari nga Bujanovci pritet ta mbyllë aventurën me Partizanin në një moment kur e humbi vendin e titullarit së fundmi nën drejtimin e Gegës.
MINTONGO Një nga lojtarët e ardhur në merkaton e verës së shkuar te Partizani ishte edhe kamerunasi, i cili erdhi në formën e huazimit me të drejtë blerjeje nga klubi i Fortuna du Mfou në Kamerun. Te Partizani, në momentin e ardhjes, kishin shumë pritshmëri nga i riu, por me kalimin e kohës ai nuk bindi sa duhet dhe këtë sezon e ka kaluar më së shumti tek ekipi B. Në ditët në vijim do të duhet të vendoset për të ardhmen e tij, por nisur nga niveli jo brenda pritshmërive, të kuqtë pritet të mos e aplikojnë opsionin e blerjes.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













