Partizani dhe Vlora, katër “Dema” e ndiejnë më shumë ndeshjen
Partizani padyshim ka pasur një lidhje të fortë me Vlorën në vitet e fundit, ndërsa drejtor ishte një vlonjat si Arbër Abilaliaj.

Pano Qirko afrohej në verën e vitit 2023, pasi Partizani kishte fituar titullin kampion. Gardiani i “demave” u kthye në garanci për dy sezonet e kaluara duke blinduar vendin e titullarit. Pas tij ndërkohë vjen Paulo Buxhelaj. Rasti i tij është unik, pasi 22-vjeçari është produkt i Partizanit dhe një ndër lojtarët më të vjetër me ekipin e parë. Buxhelaj ka kontribuar deri tani vetëm për të kuqtë në karrierën e tij.
Dy Mateot, Shanaj dhe Çipi, u afruan te kryeqytetasit në edicionin e kaluar. Shanaj ka lindur në Vlorë, njëjtë si Qirko dhe Buxhelaj. Megjithatë, ndryshe nga Qirko nuk ka luajtur për Flamurtarin. Fillimisht kontribuonte te moshat e Tiranës, ndërsa Partizani vendosi të investojë tek ai pasi po bënte mirë tek Apolonia.
Mateo tjetër, është djali i Geri Çipit. 21-vjeçari u afrua me pritshmëri të mëdha te Partizani në janarin e këtij viti. Minutat për të kanë munguar. Çipi është produkt i Flamurtarit dhe po ashtu ka debutuar me ekipin e parë të kuqezinjve. Kështu mund të konsiderohet ndoshta lojtari që e ndjen më shumë këtë takim. Ndryshe nga pjesa tjetër e përmendur, qëndron në pritje të mundësisë së tij.
Të kuqtë vijojnë me përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Kërnaja. Ky i fundit i ka të gatshëm Qirkon, Buxhelajn, Shanajn dhe Çipin. Do të jetë në dorën e teknikut tropojan, që të rreshtojë në fushë më të mirët. Çfarë bie në sy është se këtyre futbollistëve u besohet shumë për të ardhmen, pasi te Partizani kanë nënshkruar kontrata afatgjata.
SITUATA- Qirko pritet të kthehet si titullar në portën e Partizanit. Në anën tjetër ndodhet Buxhelaj, i cili mbetet në balotazh me Atanaskoskin për vendin e titullarit. Aktualisht ky i fundit është më i avantazhuar. Shanaj ka lënë plotësisht pas dëmtimin, ndërsa pret minuta në Vlorë. Çipi ndërkohë është po ashtu i gatshëm dhe mbetet për t’u parë, kur do e ketë momentin e tij.
PANORAMASPORT.AL













