Nuk ka qetësi për Dinamon, “Torcida” dyndet në Tiranë. Trajneri Daja duhet të marrë sërish masat për zhurmën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2025 | 22:12

Nuk ka qetësi për Dinamon, “Torcida” dyndet në Tiranë. Trajneri Daja duhet të marrë sërish masat për zhurmën

Është e vështirë të luash kundër Hajdukut përpara 33 mijë tifozëve. Atmosfera në stadium ishte fantastike. Futbolli luhet për tifozët. Besoj se do të kemi të njëjtën mbështetje edhe në stadiumin tonë, madje edhe nga tifozët e tjerë shqiptarë.dinamoDo të ketë një atmosferë të mirë edhe te ne”. Kështu u shpreh trajneri i Dinamos, Ilir Daja pas humbjes 2-1 kundër Hajdukut në Split. Por, trajneri Daja dhe Dinamo nuk do ta kenë të lehtë as më 14 gusht në “Air Albania” sa i përket “zhurmës”.

Thuhet kështu, pasi tifo-grupi i zjarrtë i Hajdukut, “Torcida”, po përgatitet për një transfertë masive, pasi e shohin historike përballjen me dinamovitët. Këtë gjë e kanë paralajmëruar mediat kroatë, ku njëra prej tyre, “sportskenovosti”, mes të tjerash shkruan: “‘Do të të ndjekim deri në fund të botës, sepse ne jemi Torcida besnike nga Spliti, për ty do të japim edhe gjakun, nuk ka rëndësi jemi të fundit apo të parët…’. Ky refren i njohur i tifozëve të Hajdukut këtë verë mund të marrë kuptim të plotë, sidomos nëse ekipi i Gonzalo Garcias realizon ëndrrën pas 15 vitesh pritjeje, duke siguruar pjesëmarrjen në një garë europiane, konkretisht në Ligën e Konferencës.

Ndeshja e parë në transfertë në Azerbajxhan ishte një nga më të largëtat. Baku ndodhet rreth 3000 kilometra larg Splitit, por kjo nuk i ndaloi rreth 600 tifozë të Hajdukut të udhëtonin për të parë ndeshjen kundër Zires. Fluturimet me disa ndalesa në mes të sezonit turistik nuk ishin të lehta, por asgjë nuk është pengesë për tifozët e zjarrtë të Hajdukut që duan të jenë pranë skuadrës së tyre. Baku ishte vetëm ngrohje për atë që pritet të vijë tani në Shqipëri. Dinamo i zhvillon ndeshjet në Elbasan, qytet rreth 50 km në jug të Tiranës. Megjithatë, për ndeshjen ndaj Hajdukut, vendi i takimit u ndryshua pas kërkesës së tifozëve për të luajtur në Tiranë, që të mund të jenë sa më shumë të pranishëm. Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, plotësoi dëshirën dhe tani ndeshja do të luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, i ndërtuar në 2019 dhe me kapacitet 22,000 vende. Në të njëjtin stadium në 2022 u zhvillua finalja e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Fejenordit.

Pa dyshim, stadiumi i Tiranës është vendi ideal për një invazion të vërtetë tifozësh të Hajdukut nga gjithë Kroacia dhe më gjerë. Distanca nga Spliti në Tiranë është rreth 500 km përmes rrugëve që kalojnë nëpër Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Shqipëria fillon nga pika kufitare pranë Shkodrës, qyteti historik buzë lumit Buna (mund të hyni edhe nëpër kufirin më verior, përmes Podgoricës, Tuzit dhe Bozhajit). Rruga fillestare prej 50 kilometrash shtrihet përgjatë bregdetit, ku gjatë viteve të fundit janë ngritur shumë hotele dhe apartamente, duke reflektuar rritjen e jashtëzakonshme të turizmit në Shqipëri. Çmimet janë edhe dy apo tre herë më të ulëta se në Kroaci, e cila po përballet me inflacion dhe shpenzime të larta. Ata që nuk janë nga Dalmacia mund të mendojnë seriozisht për një udhëtim turistik disa-ditor, për shembull në bregdetin e qytetit Durrës, me finalen e udhëtimit në kryeqytet për ndeshjen e Hajdukut, që luhet më 14 gusht në orën 20:45.

Çmimet e biletave nuk janë ende publikuar, valuta zyrtare është leku shqiptar, ku 100 lekë bëjnë 1 euro. Mund të bëni këmbimin e parasë menjëherë në hyrje të vendit, por zakonisht në stacionet e karburantit dhe restorante mund të paguani edhe me euro. Rrugët në Shqipëri janë shumë të mira, vetëm në kryeqytet dhe në rrugët rreth tij mund të ketë ngarkesa trafiku, ndërsa rrugët e reja të autostradave vazhdojnë të ndërtohen pa ndërprerje”.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL