Nga A-ja te Zh-ja, alfabeti i Egnatias kampione
Egnatia është duke kaluar momentin e saj më të mirë në kampionat, me 6 fitore radhazi, si asnjëherë më parë. Pikërisht këtë ecuri fantastike të rrogozhinasve “Panorama Sport” përpiqet ta sjellë ndryshe, me të gjitha stacionet kryesore që përbëjnë në njëfarë mënyre edhe historinë e këtij klubi.

Kampionët në lupën e një “alfabeti”, ku për çdo gërmë ka një domethënie të veçantë me atë që po ndodh me këtë skuadër.
A si Atmosfera. Ndër të paktat klube të futbollit shqiptar, ku nuk përflitet asnjëherë për probleme në skuadër. Atmosfera brenda saj është gjithnjë e mirë.
B si Besimi. Është një ndër gjërat kryesore për një skuadër që të bëhet fituese. Te kampionët besimi te potenciali i vet është në nivelet maksimale.
C si Cilësia. Nëse ka një element që bën diferencën tek Egnatia me rivalët, lidhet pikërisht me cilësinë e lojtarëve që ka në gjirin e saj. Aktualisht janë ndër më të mirët në futbollin shqiptar
Ç si Çudia. Ndoshta në fillim do të dukej e çuditshme që një qytet si Rrogozhina të kthehej në epiqendër të futbollit shqiptar. Mirëpo sot është një realitet i bukur.
D si Demrozi. Ai që e dërgoi Egnatian në majat e futbollit shqiptar, është presidenti Agim Demrozi. Transformoi futbollin në këtë qytet dhe i solli Rrogozhinës të gjithë trofetë e mundshëm në saje të investimeve të tij.
Dh si Dhurata. Klubi i futbollit Egnatia mund të konsiderohet pa frikë si një nga dhuratat më të bukura që i është bërë qytetit. Në fakt, për një qytet të vogël, futbolli është ndër të paktat gjëra që mund të krenohet.
E si Edlir. Një skuadër nuk mund të funksionojë, nëse nuk ka një trajner t’i udhëheqë. Tetova ka ditur të kompozojë një ekip fitues dhe jo më kot drejtuesit e kanë blinduar me kontratën e re.
Ë si Ëndërr. Tek Egnatia nuk mjaftohen më vetëm me suksesin brenda vendit, por e kërkojnë një të tillë edhe në Europë. Ëndrra është pjesëmarrja në grupet e Ligës së Konferencës.
F si Fitoret. Viti 2025 njeh vetëm fitore për ekipin e Egnatias. Duke llogaritur të gjitha kompeticionet, kanë siguruar plot 9 të tilla. Më shumë sesa kaq nuk mund t’i kërkosh një skuadre.
G si Golat. Është Regi Lushkja ai që ka marrë përsipër të bëjë “bomberin” këtë sezon, edhe pse nuk është detyra e tij. Është golashënues me 11 rrjeta të realizuara.
Gj si Gjykimi. Bëhet fjalë për një ndër të paktat ekipe, që nuk ka probleme të mëdha me gjykimin. Në fakt, për aq kohë sa vetëm fiton, edhe ndonjë gabim i tyre bën të harrohet.
H si Historia. Egnatia nuk e ka historinë apo traditën në futboll si një pjesë e ekipeve të tjera, por po e ndërton atë tani. Ajo është bërë pjesë e historisë me 3 trofetë e fituara brenda një sezoni.
I si Investimi. Presidenca ka investuar miliona për të shkuar këtu. Ngriti një klub thuajse nga zero, u ndërtua një kompleks stërvitor dhe një stadium. Investim të këtij niveli vështirë ta gjesh në futbollin shqiptar.
J si Jabanxhinj. Egnatia është e përbërë nga futbollistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit dhe nga jashtë Shqipërisë. Ata po kontribuojnë si të jenë bijë të qytetit të Rrogozhinës.
K si Kampionati apo Kupa. Fitues i të dyja trofeve dhe pretendent kryesor për t’i mbrojtur edhe këtë sezon.
L si Lekaj. Bëhet fjalë për fshatin, ku stërvitet çdo ditë Egnatia. Në një fushë stërvitore të bërë enkas për këtë skuadër.
Ll si Llogaritë. Edhe pse në klub nuk preferojnë të bëjnë llogari, duket se me ecurinë e këtij viti rrogozhinasit mund të parakalojnë edhe atë të sezonit të kaluar. Fundi do tregojë se sa do të dalin llogaritë.
M si Minutat. 540 minuta ka Egnatia që nuk njeh humbje në kampionat. Në të gjitha kompeticionet bëhen plot 810 të tilla me një seri fitoresh.
N si Ndërkombëtare. Mëkati i vetëm i Egnatias deri më tani kanë qenë ndeshjet ndërkombëtare. Eksperienca e paktë bëri që të mos avanconte gjatë në Europë dhe të provojë grupet e saj.
Nj si Njohja. Nëse dikur qyteti i Rrogozhinës njihej si një nyje e rëndësishme e transportit hekurudhor në vend, sot njihet mbi të gjitha për skuadrën e futbollit.
O si Objektiv. Nuk ka shumë dilema sa i përket objektivit që kanë kampionët. Duan të fitojnë sa më shumë të jetë e mundur.
P si Pikët. 48 pikë kanë koleksionuar deri më tani kampionët, duke qëndruar 4 para Vllaznisë së vendit të dytë.
Q si Qyteti i Rrogozhinës. Me rreth 22 mijë banorë, duket se është kthyer në kryeqendër të futbollit në vend.
R si Rivalët. Futbolli nuk ka kuptim pa ta dhe Egnatias nuk i mungojnë. Por këtë sezon ka treguar se mund t’i mposhtë të gjithë. Të fundit që e provuan forcën e saj ishin të kuqtë e Partizanit.
Rr si Rruga drejt suksesit. Fillimi ka qenë i vështirë, si për çdo klub, por tani në Rrogozhinë e kanë të qartë rrugën që duhet të ndjekin për të shkuar aty ku duhet.
S si Stadiumi. Këtë vit rrogozhinasit u bënë me një stadium, që plotëson të gjithë parametrat që kërkohen për të luajtur edhe në Europë. Tani quhen të kompletuar në të gjitha drejtimet.
Sh si Shkëputja. Tek Egnatia synojnë që të shkëputen sa më shumë në kreun e klasifikimit për të qenë më të qetë për javët e fundit. Duken në rrugë të mbarë, teksa aktualisht janë 4 pikë mbi ndjekësin më të afërt, Vllazninë.
T si Trofetë. Një klub i mirë matet në fund me trofetë e fituar. Nëse në fund nuk fiton asgjë, të gjitha harrohen. Egnatia ka fituar dhe kështu kujtohet gjatë.
Th si Themelet. Nuk mund të kesh një klub të shëndetshëm për një kohë të gjatë, nëse nuk ke hedhur themelet e duhura. Tek Egnatia duket se ato janë bërë ashtu si duhet.
U si Uria. Në Rrogozhinë nuk janë ngopur ende me atë që kanë fituar. Për aq kohë sa do të kenë uri për të fituar sa më shumë trofe, duket se do të jenë në rrugë të mbarë.
V si Vështirësitë. Si çdo skuadër që bën shumë lëvizje në merkato, edhe rrogozhinasit kaluan jo pak vështirësi në fillim të sezonit. Tashmë duket se i kanë lënë pas të gjitha.
X si Xixë (pastër). Deri më tani Egnatia ia ka dalë ta mbajë të pastër figurën si klub dhe të mos përflitet për tolerime apo lënie ndeshjesh, synim ky që shpresohet të mbahet gjithnjë.
Xh si Xhevahir. Edhe pse tanimë një ekip i konsoliduar, në kampin rrogozhinas nuk mungojnë as më të rinjtë që shihen si xhevahiret e saj. Frytet e tyre mbetet të shihen më vonë.
Y si Yje. E vështirë të veçosh ndonjë mbi të tjerët, sepse tek Egnatia janë shumë. Gjithsesi, Albano Aleksi mund të cilësohet si lojtari kyç dhe më i rëndësishëm për këtë skuadër.
Z si Zot. Ashtu është kthyer Egnatia këto dy sezonet e fundit në futbollin shqiptar. Ekipi që duhet mundur nga kundërshtarët.
Zh si Zhgënjim. Për momentin është e vetmja gjë që në Rrogozhinë nuk e kanë provuar ende ose ka ndodhur në shumë pak raste.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













