Në kërkim të një mbrojtësi, Igli Tare dhe drejtuesit kuqezi studiojnë alternativat
Merkatoja e janarit e Milanit po ecën me kujdes dhe pa nxitim. Klubi kuqezi e di se çdo vendim në këtë periudhë duhet të jetë i matur, sidomos në mbështetje të skuadrës së Masimiliano Alegrit në garën për titullin kampion. Përforcimet nuk mungojnë, por prioritet është të gjendet lojtari i duhur që të bëjë ndryshimin e duhur në ekip.

Lëvizjet e para kanë qetësuar trajnerin toskan. Ardhja e Fylkryg ka forcuar sulmin, i cili ishte dobësuar pas dëmtimit të Himenez. Po ashtu, rinovimi i Menjan tregon qartë synimin e klubit për të blinduar portën, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen. Këto hapa të parë janë të rëndësishëm për të dhënë stabilitet në skuadër dhe për të mos nxituar vendime që mund të dëmtojnë ritmin e lojtarëve. Në mbrojtje, emri kryesor që po shqyrtohet është Diego Kopola. Ish-lojtari i Veronës, 22 vjeç, nuk po gjen shumë hapësira te Brajton, ku ka luajtur vetëm pesë ndeshje.
Ai mund ta mirëpriste një rikthim në Serie A dhe duket se është gati për të treguar vlerat e tij në një klub të madh si Milani. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet qëndrimi i klubit anglez, i cili nuk është i gatshëm ta lëshojë lojtarin në huazim me të drejtë blerjeje. Kjo ka bërë që Milani të nisë kërkime edhe për alternativa të tjera, për të mos humbur kohë dhe për të pasur mundësi të ndryshme në tavolinën e bisedimeve. Pista e dytë është Markos Senesi, 26 vjeç, titullar te Bournemouth dhe me kontratë që skadon në verën e vitit 2026.
Ky profil është interesant, pasi ofron eksperiencë dhe qetësi në mbrojtje. Jo rastësisht, edhe Juventusi po ndjek nga afër situatën e tij, duke e vënë në listën e lojtarëve që mund të transferohen gjatë merkatos. Alternativa e tretë lidhet me Mario Xhila të Lacios, 25 vjeç. Ky opsion do të ishte më shumë për fundin e sezonit, pasi bardhekaltërve nuk u intereson ta lëshojnë një prej liderëve të tyre, sidomos pas largimeve të Guendouzi dhe Kastejanos. Ndërkohë, pista që çonte te Federiko Gati i Juventusit dhe Kim Min-Xhae i Bajernit të Mynihut është e mbyllur. Juventus nuk do të heqë dorë nga Gatti për një rival në Serie A, ndërsa problemi me Kim Min-jae është paga shumë e lartë, mbi 7 milionë euro në vit. Kjo e bën opsionin e tij të pamundur për Milani këtë merkato.
PANORAMASPORT.AL













