Ndryshime në stafin e Vllaznisë, konfirmohet lëvizja e një prej asistentëve të Martinit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2025 | 16:22

Ndryshime në stafin e Vllaznisë, konfirmohet lëvizja e një prej asistentëve të Martinit

Ashtu siç ishte paralajmëruar, ashtu edhe është zyrtarizuar së fundmi lëvizja në stafin teknik të Vllaznisë. Një rokadë ka ndodhur përsa i përket trajnerit të portierëve në stafin teknik të shkodranëve, ku pas 7 sezonesh është larguar nga ky pozicion, Ideal Lekiqi. 

VLLAZNIA

Ai ka qenë përgatitësi i portierëve të kuqebluve për disa sezone me rradhë. Duke bashkëpunuar me trajnerë të ndryshëm si Canaj, Jonuz, Dedja, Brdariç, Plori, Josa, Sedloski, Memelli, Osmani dhe së fundmi Martini gjatë gjithë kësaj periudhe. Kështu Lekiqi do ketë tashmë një pozicion të ri në klub, duke qenë përgatitësi numër një i portierëve tek akademia Vllaznia.

Dhe pikërisht këtë pozicion më parë e mbante, Elis Dervishaj, që tashmë do jetë pjesë e stafit të skuadrës së parë. Me Dervishajn që kthehet të japë kontribut pas shumë vitesh në ekipin A të Vllaznisë, ku më parë ka kontribuar edhe si futbollist. Pavarësisht se vetëm në një periudhë të shkurtër si lojtar aktiv.

Tashmë stafi është kompletuar për sezonin 2025-26 në radhët e shkodranëve, ku si trajner i parë do jetë Edi Martini. Me zëvendësin e tij Ergi Borsh e teksa trajner i portierëve do jetë Elis Dervishaj e përgatitës atletik, Fatjon Kadija. Ndërsa rolin e drejtorit sportiv do e mbulojë Vioresin Sinani, me një staf totalisht shkodran dhe “bio” siç e duan në kryeqendrën e veriut.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL