Mungesa dhe dyshime te Vllaznia, Brdariç harton “kurthin” për Skënderbeun
Vllaznia ka udhëtuar drejt Korçës për tu përballur me vendasit e Skënderbeut në orën 16:30, në kuadër të javës së 21-të të kampionatit. Kuqeblutë po kalojnë një moment të mirë forme dhe duan ta vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive edhe në juglindje.

Trajneri Brdariç e ka hartuar formacionin që do të prezantojë ndaj bardhekuqve. Ka dyshime dhe ndryshime. Në portë pritet Jukaj, i cili ka fituar shumë pikë me paraqitjet e fundit mes kampionatit dhe Kupës. Në mbrojtje nga e djathta do të jetë Gurishta, me Çobën majtas. Në qendër të prapavijës i sigurt duket Bajrami, e ndërsa ka një dyshim për gjendjen fizike të Stojanoviç. Repaj qëndron në “pole” për ta zëvendësuar.
Në mesfushë është e sigurt mungesa e Krymit, për shkak kartonësh. Ka dyshime edhe rreth gjendjes fizike të Qatos, që nuk pritet titullar. Deliu, Sala dhe Kahrimanoviç do të formojnë treshen e mesfushës. Në sulm Balaj mbështetet nga dyshja Mala-Dodaj.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













