MOVIOLA E FLAMURTARI-VLLAZNIA / Arbitri bën gafë të rëndë në Vlorë, Lata anulon golin për t’i dhënë penallti vendasve (VIDEO)
Një episod i diskutueshëm dhe i rrallë ndodhi në minutën e 73-të të ndeshjes në Vlorë, mes Flamurtarit dhe Vllaznisë. Vlonjatët arritën të gjenin rrjetën me anë të Bolzan, por gëzimi zgjati vetëm pak sekonda.

Gjyqtari Florian Lata vendosi ta ndalojë lojën, duke anuluar golin dhe akorduar penallti për një prekje të topit me dorë të Gurishtës brenda zonës. Një vendim që shkaktoi menjëherë protesta nga lojtarët e Flamurtarit dhe habi të madhe në tribuna. Pamjet televizive treguan qartë se gjyqtari mund të kishte lënë avantazhin, pasi aksioni vijoi natyrshëm dhe topi përfundoi në rrjetë.
Në këtë rast, sipas rregullores, arbitri duhet të lejojë zhvillimin e aksionit për disa sekonda dhe vetëm më pas të kthehet te penalltia, nëse situata nuk përfundon me gol. Vendimi i Latës u konsiderua një gabim teknik, që mund t’i kishte kushtuar shtrenjtë Flamurtarit, pasi penalltitë nuk janë asnjëherë të sigurta, ndërsa goli i Bolzan do të kishte qenë i vlefshëm.
SHIH VIDEON
Për më tepër, ekzistonte mundësia që pas rishikimit me VAR, vendimi për penallti të anulohej nëse do të rezultonte se topi nuk kishte prekur dorën në mënyrë të parregullt. Në këtë mënyrë, gjyqtari u gjend në një situatë të dyfishtë risku. Anuloi një gol të rregullt dhe ndërhyri para kohe në një aksion të qartë shënimi, duke mos respektuar parimin e avantazhit, një prej elementëve bazë të gjykimit modern në futboll.
Episodi do të analizohet nga Komisioni i Arbitrave, dhe Florian Lata rrezikon pezullim për gabim në zbatimin e rregullores. Edhe pse Flamurtari në fund arriti të marrë rezultatin që kërkonte, rasti mbetet një sinjal alarmi për mënyrën si menaxhohen situatat brenda zonës dhe për rëndësinë që kanë sekondat e vendimit në ndeshje të tilla me peshë.
PANORAMASPORT.AL













