Moviola e Egnatia-Tirana/ Mungojnë të verdhët për simulim, VAR-i tregohet i saktë
Ndeshja mes Egnatias dhe Tiranës nuk u karakterizua vetëm nga dominimi i kampionëve në fushë, por edhe nga disa episode të rëndësishme që ndezën deri – diku debat. Dy gola të anuluar për rrogozhinasit, një penallti e pretenduar, si dhe kartoni i kuq i dhënë Markut në fundin e sfidës, ishin momentet më të nxehta që sollën ndërhyrjen e VAR-it dhe shumë diskutime mbi vendimet e arbitrit kryesor Lata.

MINUTAT 45’+1′- 45’+4′: Në zhvillimin e një goditje nga këndi, harkimi nga e djathta në zonë nga Selmani gjen devijimin me kokë në rrjetë të Ruçit. Gjyqtari sinjalizon gol, ndërsa bardheblutë kërkojnë pozicion jashtë loje. Pas tre minutash pritje, sinjalizohet për pozicion jashtë loje të sulmuesit. (VIDEO)
MINUTA e 52-të: Gruda driblon në krahun e djathtë dhe hyn në zonë, ai shmang edhe Tafas e pastaj rrëzohet. Lata lë lojën të vazhdojë dhe nuk jep penallti. I drejtë duket vendimi i gjyqtarit, sepse nga pamjet duket se nuk ka kontakt. Megjithatë, për simulim, mungon një e verdhë për sulmuesin e Egnatias. (VIDEO)
MINUTA e 55-të: Shënon përsëri Egnatia pas një aksioni të Ndrecës nga e majta të finalizuar nga Fernando. Goli anulohet për pozicion jashtë loje. Vendim që konfirmohet më pas edhe nga VAR. (VIDEO)
MINUTA e 86-të: Tirana mbetet me 10 lojtarë, pasi Marku ndëshkohet me të kuq pas faullit ndaj Grudës në një kundërsulm të rrogozhinasve. Shihet qartë tërheqja e lojtarit të Tiranës dhe si lojtar i fundit duket vendim i kryesorit. (VIDEO)
MINUTA 90’+3′: Pas një goditje këndi, Tabeku gjuan me kokë dhe pretendon për penallti pas një prekje topi me dorë. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë. Vendim i drejtë. Prekja e topit me dorë(gjithmonë nëse ekziston, sepse pamjet tregojnë prekje me gjoks), vjen pasi sfera ndryshon disa herë drejtim. Vendim i drejtë i gjyqtarëve. (VIDEO)
PANORAMASPORT.AL













