Moviola e Bylis-Tirana/ Minuta e 94-t, episodi që ndezi polemikat (VIDEO)
Në minutat shtesë të ndeshjes, kur loja ishte drejt fundit, ndodhi momenti më i diskutueshëm. Në një kundërsulm të shpejtë të Bylisit, sulmuesi shtatlartë Mustafa u përfshi në një dyluftim fizik me lojtarin bardheblu, Soler.
Përplasja mes tyre ishte e fortë. Soler përfundoi në tokë dhe reagoi menjëherë me protesta të forta, duke kërkuar ndërhyrjen e gjyqtarit. Arbitri Grumçi fillimisht vlerësoi situatën si faull të zakonshëm dhe i dha karton të verdhë Mustafës. Por, vetëm pak çaste më pas, u thirr nga VAR për të parë aksionin në monitor. Pas rishikimit, vendimi ndryshoi. Kartoni i verdhë u anulua dhe sulmuesi i Bylisit u ndëshkua drejtpërdrejt me karton të kuq.
ANALIZA E EPISODIT – Nga pamjet e përsëritura dukej qartë se goditja e Mustafës nuk ishte e qëllimshme, por gjithsesi e rrezikshme, duke pasur parasysh forcën dhe mënyrën se si u krye kontakti. Rregullorja është e qartë. Edhe një ndërhyrje e pavullnetshme, nëse përbën rrezik serioz për kundërshtarin, konsiderohet sjellje e dhunshme dhe ndëshkohet me të kuq. (VIDEO)
POLEMIKA DHE REAGIME – Ky vendim ndezi reagime të forta nga tifozët vendas, të cilët e cilësuan të ashpër dënimin, duke theksuar se Mustafa nuk kishte pasur qëllim të lëndonte kundërshtarin. Nga ana tjetër, bardheblutë kërkonin me ngulm ndëshkimin maksimal, duke pretenduar se sulmuesi i Bylisit kishte përdorur krahun në mënyrë të rrezikshme. Në fund, ky episod jo vetëm që i mbylli ndeshjes me tension, por pritet të diskutohet gjatë edhe në ditët në vijim. Ai vuri në pah rolin vendimtar të VAR-it në kampionatin shqiptar dhe faktin që çdo detaj, sado i vogël, mund të ndikojë fatin e një ndeshjeje.
PANORAMASPORT.AL













