Miqësorja e dytë në tokën polake, Leç Poznan shumë i fortë për Teutën e re të Enkelejd Dobit
Skuadra e Teutës ka luajtur dje ndeshjen e dytë miqësore gjatë fazës përgatitore në Poloni, përballë ekipit vendas Leç Poznan.
Takimi u mbyll me fitoren e vendasve 2-0. Pjesa e parë ishte e balancuar, me raste të shumta shënimi për të dyja skuadrat. Teuta u tregua e kujdesshme në prapavijë dhe kërkoi hapësira për të rrezikuar në kundërsulm. Në pjesën e dytë, trajneri bëri shumë ndryshime në formacion, duke u dhënë minuta lojtarëve të stolit dhe atyre të rinj. Këto rotacione ndikuan në ritmin e lojës dhe Leç Poznan arriti të shfrytëzonte momentin për të shënuar dy gola, duke siguruar fitoren. Megjithatë, kjo ndeshje shërbeu si një tjetër test i vlefshëm për stafin teknik të durrsakëve në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri.
45 MINUTAT E PARA — Teuta e nisi mirë ndeshjen, duke u treguar aktive që në minutat e para. Në minutën e 7-të, një krosim i Përgjonit rrezikoi seriozisht portën kundërshtare, por goli iu mohua. Edhe Beshiraj, në një tentativë tjetër, goditi shtyllën. Shansi më i artë për Teutën erdhi në minutën e 18- të, kur parabola e Zelas u ndal pikërisht në kryqëzimin e shtyllës dhe traversës, duke tronditur portën, por jo rrjetën. Leç Poznani reagoi me disa sulme të rrezikshme dhe ishte pranë golit në minutën e 27-të, kur një goditje me kokë pas një harkimi u ndal në vijën fatale nga Jazxhi. Në vazhdim, portieri Selmani kontrolloi një tentativë të mesfushorit vendas. Deri në fund të pjesës së parë, Teuta insistoi në sulm. Në minutën e 43-të, Toli pati rastin më të mirë për të shënuar, por goditja e tij e fortë u devijua dhe më pas u ndal nga shtylla.
45 MINUTAT E DYTA — Pjesa e dytë solli një lojë të balancuar me shumë luftë në mesfushë nga të dyja skuadrat, ndërkohë që të dyja palët kryen disa zëvendësime. Ekipi i Teutës, në fraksionin e dytë, tregoi volum loje, por gjithashtu humbi disa raste të mira për të shënuar. Skuadra polake pati shansin e parë në minutën e 60-të, kur pas një goditjeje të fortë nga jashtë zone, sulmuesi vendas kaloi në avantazh ekipin e tij. Megjithatë, Teuta nuk u dorëzua. Në minutën e 73-të, ishte Çyrbja që krosoi në zonë, Kapllani e kontrolloi mirë topin, goditi dhe, pas një devijimi, topi u përplas në shtyllë dhe përfundoi në goditje nga këndi. Nga ai kënd, Maçolli krosoi dhe gjeti Çelën, por ky i fundit nuk ishte i saktë me kokë. Leç Poznani shënoi sërish në minutën e 70-të, pas një kundërsulmi të shpejtë. Lojtari i tyre doli përballë portierit Vatë dhe dyfishoi rezultatin në 2- 0. Deri në fund nuk pati ndryshim rezultati, kështu që “Djemtë e Detit” mbyllin edhe testin e dytë gjatë kësaj faze përgatitore dhe tashmë kthehen në bazën e tyre në Opalenica, ku do të vijojnë përgatitjet.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













