MINIFUTBOLL/ Vëllazërorja në Prishtinë, Shqipëria mundet nga Kosova
Prej disa javësh Shqipëria e minifutbollit vazhdon përgatitjet për kampionatin botëror që do të mbahet në Ras Al-Khaimah të Emirateve të Bashkuara Arabe nga 26 tetori deri më 4 nëntor.

Në prag të këtij evenimenti historik, në të cilin do të marrë pjesë për herë të parë minifutbolli shqiptar, Kombëtarja kuqezi ka zhvilluar së fundmi edhe një ndeshje testuese në Prishtinë ndaj Kosovës. Një sfidë kolauduese, që u ka shërbyer më shumë të trajnerëve Ergys Kadiu dhe Erjon Arapi për të parë gjendjen e skuadrës. Vëllazërorja e luajtur të dielën në Prishtinë dhuroi rivalitet të lartë, me të dyja ekipet që luftuan fort sportivisht për të marrë fitoren. Ishte Kosova që doli fitimtare me rezultatin minimal 1-0, pas një goli të shënuar me penallti. Shqipëria pritet të zhvillojë edhe një tjetër ndeshje miqësore ndaj Malit të Zi, para se të niset drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kujtojmë që Kombëtarja jonë bën pjesë në Grupin F të Botërorit, së bashku me Sllovakinë, Francën dhe Anglinë. Ndeshjen e parë në grup Shqipëria do ta luajë më 27 tetor në orën 16:30 kundër Sllovakisë. Më tej, më 29 tetor, në orën 15:15, do të matë forcat me Francën, ndërsa më 31 tetor në orën 15:15 do të mbyllë fazën e grupit me sfidën ndaj Anglisë. Në Botëror marrin pjesë 32 përfaqësuese të ndara në 8 grupe. Vendet e para dhe të dyta të secilit grup sigurojnë kualifikimin për në 16-she, aty ku do të nisin më pas sfidat me eliminim direkt.
KOMBËTARJA KUQEZI
Portierë
Rei Xhaferi
Dashnor Cara
Lojtarë
Klejdi Branica
Aldo Branica
Mario Ademi
Mario Biba
Sandroel Limani
Endrit Prençi
Gersi Mersini
Gilbert Hysko
Gersi Merepeza
Frenki Kadiu
Bledar Hajdari
Elion Spahiu
Fatmir Hysenbelliu
Trajner
Ergys Kadiu
As.trajner
Erjon Arapi
Përgatitës atletik
Ervin Baku
Trajner portierësh
Redjan Baku
Doktor
Perli Rusi
PANORAMASPORT.AL













