“Jo të gjithë lindin si Jamali”, Ueah: Në Botëror do të bëj tifo për Brazilin e Ançelotit, Milani dhe Italia të kenë durim me…
Një “Panterë” en det nëpër Nju Jork. Ka ende shpërthimin e dikurshëm, lëviz me shpejtësi, është i fortë dhe jashtëzakonisht rezistent. Në tetor do të mbushë 60 vjeç. Vrapimi i tij më i famshëm, 85 metra të përshkuar në vetëm 14 sekonda, daton gati 30 vite më parë. Megjithatë, pavarësisht vapës së Manhatanit, Xhorxh Ueah vazhdon të sprintojë pothuajse si në ditët e tij më të mira. Madje këtë herë nuk luan si sulmues qendre, por si lojtar krahu në të djathtë në një ndeshje 7 kundër 7 mes legjendave italiane dhe ishyjeve të MLS-së.

Kjo ndodhi dy ditë më parë në stadiumin “Rocco B. Commisso Soccer Stadium”, impiant me 3500 vende i ndërtuar me dëshirën e ish-presidentit të Fiorentinës. Të dielën pasdite aty u mblodh komuniteti italian i qytetit për të shijuar paraqitjen e ish-kampionëve të Italisë. Nëse kombëtarja aktuale nuk po sjell emocione dhe suksese, idhujt e brezave të kaluar vazhdojnë të njihen, të duhen dhe të duartrokiten. Me iniciativën e presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, një pjesë e historisë së futbollit italian u soll në Nju Jork.
Ndërsa në fushë ndodheshin emra si Roberto Baxhio, Andrea Pirlo, Alesandro Nesta, Masimo Ambrozini, Kristian Vieri, Xhanluka Paliuka, Kristian Panuçi, Kristian Zakardo dhe Vinçenco Iakuinta, nga dhomat e zhveshjes doli edhe “Pantera”. Ueah, një tjetër legjendë e futbollit dhe drejtues i ekipit që merret me luftën kundër racizmit, veshi fanellën me numrin 9. Fanella ishte blu, në nder të karrierës së tij në Itali, ndërsa në pjesën e përparme kishte flamujt e të gjitha vendeve anëtare të FIFA-s.
Kur hyri në fushë, përqafoi menjëherë ishshokun e skuadrës te Milani, Roberto Baxhio, me të cilin ndau dy sezone te kuqezinjtë. Më pas përshëndeti me shumë dashuri edhe Panuçin dhe Ambrozinin, miq të vjetër të Milanit të madh të viteve të arta. Edhe sot mbetet diçka nga madhështia e tij. Pasi përfundoi ndeshja, Ueah kaloi dhjetëra minuta duke bërë fotografi dhe duke firmosur autografe për tifozët amerikanë.
Ueah, pa dashur të ofendojmë legjendat italiane, dukeni shumë më në formë se shumë prej tyre…
Jo, aspak! Kur rikthehesh në fushë dhe pranë teje ke kampionë të tillë si shokë skuadre, të rikthehen menjëherë dëshira dhe energjia. Me ta kam luajtur shumë herë, si bashkëlojtar dhe si kundërshtar. Takova sërish miq të mëdhenj si Baxhio dhe Panuçi. Ishte një pasdite fantastike dhe jam shumë i lumtur.
Keni takuar miq me të cilët keni qenë kampionë të mëdhenj. Sot Italia ka mbetur jashtë Botërorit për herë të tretë. Çfarë ndjesie ju jep kjo?
Italia është vendi i futbollit. Tradita juaj është historike, ndër më të mëdhatë në botë. Por futbolli, si çdo sport tjetër, funksionon kështu. Ka cikle. Nuk kam një shpjegim të saktë për arsyet, por jam i bindur se Italia do të rikthehet sërish e madhe. Do ta ndiqni Botërorin? Sigurisht. Do të bëj tifo për Brazilin e Karlo Ançelotit, skuadrën që kam dashur që fëmijë. Dhe natyrisht për SHBA-në e djalit tim Timothi. Zemra ime do të ndahet më dysh.
Duke folur për zemrën, çfarë po ndodh me Milanin tuaj? Ju fituat dy tituj kampion me kuqezinjtë. Sot rikthimi në majë duket shumë i vështirë…
Ashtu siç thashë për Italinë, futbolli është i çuditshëm. Të gjitha skuadrat ndryshojnë dhe evoluojnë. Sigurisht që niveli i kampionatit ka ndryshuar. Por te Milani presioni mbetet i jashtëzakonshëm. Duhet t’u japësh kohë lojtarëve të përshtaten. Sot ka një skuadër të re që ka nevojë për punë dhe shumë durim. Duhet qetësi, por Milani do të rikthehet i madh.
Ndoshta skuadrës të së ardhmes i duhet pikërisht një sulmues i madh…
Në fakt, ajo që sapo thashë vlen edhe për mua. Unë erdha te Milani në moshën 28-vjeçare. Nëse do të kisha ardhur më herët, ndoshta nuk do të isha gati. E njoha ‘San Siron’ pas viteve te Monako dhe PSG. Isha pjekur dhe arrita ta shfrytëzoja mundësinë. Përndryshe nuk e di nëse do t’ia kisha dalë. Këtë ua them italianëve dhe kujtdo që është pjesë e kampionatit tuaj. Duhet durim dhe duhet të pranoni gabimet. Shumë shpesh shoh të rinj që përfundojnë në stol pas një gabimi. Por nuk funksionon kështu. Duhet t’u jepet kohë të punojnë dhe të rriten. Jo të gjithë lindin si Lamine Jamal, jo të gjithë janë menjëherë fenomenë.
Pikërisht Milani dhe Juventusi, ish-skuadra e Timothit, janë zhgënjimet e sezonit dhe kanë mbetur jashtë Champions League. Pse?
E përsëris, duhet një sistem që i ndihmon lojtarët të rriten. Suksese të tilla nuk lindin brenda një dite, por janë rezultat i një procesi të gjatë. Besimi është baza e gjithçkaje. Duhet t’i inkurajoni të rinjtë dhe t’i shoqëroni në rrugëtimin e tyre. Këtë jam përpjekur të bëj edhe me djalin tim Timothi. Para se të hynte në akademinë e PSG-së, ai luajti për vite me radhë te “Gottschee” këtu në Nju Jork. Më pas erdhën klubet e mëdha. Për të dalë në pah duhet të kesh më shumë se një mundësi. Kjo është një gjeneratë futbollistësh dhe të rinjsh me një mentalitet ndryshe.
Ueah, këto ditë ndodheni në SHBA vetëm përkohësisht. Ju jetoni në Liberi, vend ku për gjashtë vite keni qenë President. Si është sot situata atje?
Kur isha në drejtim të vendit, bëra gjithçka që ishte e mundur për të promovuar stabilitetin dhe paqen. Gjëja që më bën më të lumtur është fakti se edhe sot vendi ynë nuk po përjeton luftëra.
PANORAMASPORT.AL













