Situatë e paqartë me sulmin, dy lojtarë mund të largohen nga Dinamo
Dinamo ka nisur zyrtarisht përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Konferencës, ku do të luajë në muajin korrik. Sakaq, drejtuesit prej disa ditësh po punojnë për të siguruar bërthamën e skuadrës, teksa edhe largimet nga blutë pritet të jenë të shumta.

Nëse në një krah klubi ka siguruar vazhdimësinë e disa prej lojtarëve kryesorë, në krahun tjetër pritet të ketë edhe largime, ndërsa disa situata vazhdojnë të mbeten të paqarta. Mes emrave më të diskutuar në këtë periudhë janë Jorgo Meksi, Saliu Guindo, Ledio Beqja dhe Bernard Berisha, të gjithë këto lojtarë që diskutohet për një largim.
SITUATA- Nga të gjitha çështjet që po shqyrtohen aktualisht nga drejtuesit, ajo e Jorgo Meksit duket më pranë zgjidhjes. Mbrojtësit i përfundon kontrata në fund të këtij muaji dhe gjasat janë që bashkëpunimi mes palëve të mos vazhdojë. Pavarësisht kontributit të dhënë gjatë periudhës së tij te Dinamo, deri në këto momente nuk ka sinjale konkrete për rinovimin e marrëveshjes. Për këtë arsye, largimi i tij shihet si skenari më i mundshëm.
Në javët e fundit emri i Meksit është përmendur edhe në merkato, me disa skuadra të Superiores që kanë monitoruar situatën e tij, ndërsa mbrojtësi mund të jetë një nga futbollistët që do të largohet me parametër zero gjatë kësaj vere. Një emër tjetër që po analizohet me kujdes nga drejtuesit është ajo e sulmuesit Saliu Guindo. Afrimi i tij u konsiderua si një investim i rëndësishëm për repartin ofensiv, por sezoni nuk ka rezultuar sipas pritshmërive. Sulmuesi nuk arriti të kishte vazhdimësi në aktivizime dhe performanca, ndërsa munguan edhe golat që priteshin prej tij.
Për pasojë, e ardhmja e tij në skuadër mbetet e hapur dhe ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Brenda klubit po bëhen vlerësimet e fundit për përbërjen e repartit ofensiv, ndërsa drejtuesit po shqyrtojnë mundësinë e afrimit të elementëve të rinj në sulm. Pikërisht kjo situatë e bën edhe më të paqartë pozicionin e Guindos, i cili nuk konsiderohet i paprekshëm për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka një vendim zyrtar dhe çdo skenar mbetet i hapur.
BERISHA DHE BEQJA- Në mesin e emrave që kanë qarkulluar në merkato është edhe ai i Bernard Berishës. Për futbollistin kanë ekzistuar zëra të ndryshëm lidhur me një largim të mundshëm nga Dinamo gjatë kësaj vere, por deri tani nuk ka asgjë konkrete, teksa edhe vetë klubi u detyrua të reagonte për mediat pak ditë më parë duke qenë të bindur se s’ka asgjë të vërtetë.
As nga klubi dhe as nga vetë lojtari nuk ka pasur sinjale që mund të konfirmojnë një ndarje të afërt. Për momentin, Berisha mbetet pjesë e projektit të Dinamos dhe situata e tij nuk konsiderohet prioritet nga drejtuesit.
PANORAMASPORT.AL













