Asllani e Kumbulla rikthehen në Itali, klubet vuajnë pagat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2026 | 22:00

Asllani e Kumbulla rikthehen në Itali, klubet vuajnë pagat

Fundi i muajit qershor do të sjellë rikthimin e disa lojtarëve nga huazimet te klubet e tyre respektive në Serie A, mes tyre edhe dy futbollistët shqiptarë, Kristjan Asllani dhe Marash Kumbulla. Sipas një analize të publikuar nga mediat italiane, rikthimi i lojtarëve që nuk janë pjesë e planeve afatgjata të klubeve përbën një barrë financiare të konsiderueshme për skuadrat italiane.

maran asllani

Në rastin e Interit, Kristjan Asllani do të kthehet nga Besiktasi, me pagën e mesfushorit shqiptar që kap vlerën e rreth 1.4 milionë eurove në sezon. Zikaltrit pritet të kërkojnë një zgjidhje të re në merkato për të shmangur mbajtjen e një lojtari jashtë projektit teknik. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe te Roma me Marash Kumbullën. Mbrojtësi shqiptar rikthehet nga huazimi te Majorka, ndërsa kontrata e tij i kushton klubit verdhekuq rreth 1.8 milionë euro në sezon.

Edhe pse Roma nuk e konsideron çështjen shqetësuese, e ardhmja e Kumbullës mbetet e hapur dhe gjatë merkatos verore priten vendime për destinacionin e tij të ardhshëm. Në total, Asllani dhe Kumbulla përfaqësojnë mbi 3 milionë euro kosto vjetore për Interin dhe Romën, ndaj të dy klubet do të synojnë të gjejnë zgjidhje sa më shpejt për të ardhmen e dy lojtarëve shqiptarë.

PANORAMASPORT.AL