“Ka diçka që nuk shkon te Vllaznia”, Rudi Vata kritikon kuqeblutë: Duhej të ishte “top” në “Final 4” por i zhgënjeu të gjithë! Egnatia s’ishte më e mira (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2026 | 22:35

“Ka diçka që nuk shkon te Vllaznia”, Rudi Vata kritikon kuqeblutë: Duhej të ishte “top” në “Final 4” por i zhgënjeu të gjithë! Egnatia s’ishte më e mira (E PLOTË)

Në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur së fundmi ish-futbollisti i Vllaznisë, Rudi Vata. Në fjalët e tij ish-mbrojtësi dhe kapiteni i kombëtares shqiptare u ndal tek sezoni i përfunduar tashmë i Superiores, ku për kuqeblutë shprehet se verdiktet finale ishin zhgënjyese.

rudi vata

Duke hedhur poshtë gjithë punën e mirë që ishte bërë gjatë sezonit, teksa thekson se klubi duhet të analizojë edicionin e mbyllur dhe nxjerrë mësimet e duhura. Ndërsa shkodrani po ashtu thotë se ekipi s’ka kohë për të humbur e fokusi duhet të jetë tek merkato e Conference League në mënyrë që Vllaznia të ndërtojë një ekip sa më konkurues për sezonin që vjen të Superiores.

Vllaznia e mbylli e treta dhe vetëm me një kualifikim në Conference League, mjaftueshëm?

Realisht e kam të vështirë të flas për Vllazninë në këto momente, pasi gjatë gjithë sezonit kemi thënë në intervista e studio të ndryshme që është ekipi pretendent për titullin kampion. Dhe realisht ashtu dukej deri para ndeshjeve të “Final 4”, ku udhëhoqi kampionatin me meritë, duke treguar potencialin e saj. Por në momentin më vendimtar të sezonit nuk arriti të shfaqte atë që duhej, pasi vetë formula tregonte se skuadra duhej të ishte në “top” në “Final 4”. Por, nuk ishte dhe nuk e kuptoj se çfarë ndodhi realisht, e kjo situatë ka zhgënjyer këdo në Shkodër, jo vetëm tifozët. Por edhe analistët, ish-futbollistët, ekipin e futbollistët e saj, stafin e po ashtu presidencën e Vllaznisë.

Çfarë nuk shkoi me skuadrën?

Atë duhet ta analizojnë aktorët e sezonit, futbollistët, stafi teknik dhe presidenca. Çfarë nuk shkoi me ekipin dhe të sqarojë edhe opinionin që ishte aq entuziast dhe aq i gatshëm për kthimin e titullit kampion. Por në fund skuadra zhgënjeu e këtu ka patjetër diçka që nuk shkon. Megjithatë analizën e saktë e bëjnë ata që janë brenda strukturave, ku edhe duhet të mbahen përgjegjësitë përkatëse.

E merituar sërish fitorja e Egnatias në fundin e sezonit?

Nuk mund të them se Egnatia ishte superiore këtë sezon, e sidomos ndaj Vllaznisë ku kuqeblutë e kishin dominuar gjatë sezonit. Por, ishte cinike dhe e saktë kur duhej, në “final 4.” Kishte qetësinë dhe eksperiencën e duhur për të përballuar presionin dhe triumfuar. Nuk ka marrë asgjë pa meritë kjo të kuptohet, por në syrin tim nuk ishte ekipi më i mirë, ishte ekipi që shfrytëzoi momentet “pikante” dhe ato sollën edhe kampionatin për të tretin vit radhazi.

Tashmë fokusi shkon edhe tek sezoni i ri, si i shikon lajmet dhe nisjet e përgatitjes së skuadrës?

Është normale që të nisin përgatitjet sepse Conference League vjen shpejt. Janë larguar disa futbollistë, të cilët besoj janë analizuar për performancën e tyre e ndoshta nuk kanë dhënë atë çfarë pritej. Po ashtu është afruar Patrik Bardhi, për të cilin nuk është se kam shumë informacion, por edhe për atë them se do jenë bëre kuotimet e duhura nga ana e stafit. Kjo periudhë kështu është çdo verë, me largime e afrime futbollistësh. Por, Vllaznia duhet të gjejë elementët e duhur për të përballuar sezonin dhe luftuar për objektivat madhorë.

Sa të rëndësishme janë ndeshjet e fillim edicionit në kupat e Europës?

Shumë të rëndësishme, sepse aty zhvillohet një buxhet për të ardhmen e kampionatit. Ne e dimë mirë që finanacat nuk janë aq të qëndrueshme në kampionatin shqiptar dhe ajo ndikon edhe në performancat e ekipeve. Pra, paraqitja sa më e mirë në Conference League dhe kalimi i turit të parë minimalisht hedh baza të shëndosha për sezonin që vjen në Superiore. Që do lejonte edhe afrimin e të tjerë elementëve cilësorë dhe që bëjnë diferencën. Ndaj duhet përgatitje shumë serioze para këtyre dueleve europiane, ku shumë skuadra synojnë të mbushin arkat e klubeve.

Si e mendon Vata në sezonin 2026-27 ekipin kuqeblu?

Është ende shumë herët për të folur, por besoj se ambiciet e Vllaznisë në çdo sezon janë maksimale. Ndaj duhen përgatitjet e duhura, duhet të afrohen futbollistët e duhur e duhet bërë një analizë e sezonit që u mbyll para 10 ditësh. Në mënyrë që gabimet të mos ripërsëriten dhe skuadra e klubi të shkojë drejt përmirësimit nga sezoni në sezon. Megjithatë hapat merren një e nga një e duhet studiuar çdo lëvizje me kujdes për të arritur te suksesi.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL