“Elbasani mund të bëjë surprizën në Europë”, legjenda Popa: Skuadra ka bazën për trofe
Emri i Ardjan Popës mbetet i skalitur në historinë e futbollit elbasanas. Ish-mesfushori potent ishte një nga protagonistët kryesorë të skuadrës që në vitin 1984 fitoi për herë të parë titullin kampion të Shqipërisë, duke hyrë përgjithmonë në historinë e klubit verdheblu. Sot, edhe pse larg fushës së blertë dhe larg Shqipërisë, ai vazhdon ta ndjekë me vëmendje ekipin e zemrës dhe nuk ngurron të japë mendimin e tij për ecurinë dhe të ardhmen e Elbasanit.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Popa verdheblu analizon sezonin e sapombyllur, flet për pjesëmarrjen në kupat e Europës, këshillon skuadrën për sezonin e ardhshëm dhe nuk kursen vlerësimet për trajnerin. Në fund, Popa shpreh edhe një dëshirë të madhe, që Elbasani të rikthejë një tjetër trofe në qytetin që jeton me futbollin.
Zoti Popa, si e keni parë sezonin që sapo përfundoi për Elbasanin?
Mendoj se Elbasani zhvilloi një sezon shumë të mirë. Skuadra tregoi vazhdimësi dhe zhvilloi shumë ndeshje cilësore gjatë gjithë kampionatit. Ka pasur momente të vështira dhe mungesa të rëndësishme gjatë sezonit, por grupi ia doli t’i përballonte ato me futbollistët që kishte në dispozicion. Kjo tregon se është krijuar një ekip me karakter dhe me cilësi, që mund të rivalizojë me këdo.
Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë për sezonin e ardhshëm?
Mendoj se skuadra duhet të ketë edhe më shumë grintë dhe shpirt gare. Futbolli sot fi tohet jo vetëm me cilësi, por edhe me karakter dhe dëshirë për të mos u dorëzuar në asnjë moment. Po aq e rëndësishme është edhe harmonia mes lojtarëve. Kur krijohet një grup i bashkuar dhe të gjithë luftojnë për njëri-tjetrin, atëherë rezultatet vijnë më lehtë. Besoj se Elbasani ka bazën e duhur dhe sezonin e ardhshëm mund të jetë edhe më i kompletuar.
Elbasani do të luajë në kupat e Europës. Çfarë prisni nga kjo aventurë?
Europa është një nivel tjetër dhe kërkon shumë më tepër. Aty përballesh me skuadra që kanë eksperiencë dhe ritëm të lartë loje. Nuk është aspak e lehtë, por mendoj se Elbasani mund të bëjë një paraqitje dinjitoze nëse përgatitet si duhet. Sigurisht që duhen përforcime në merkato. Mendoj se skuadra ka nevojë për ndërhyrje për të kompletuar grupin dhe për të pasur më shumë alternativa. Unë shoh nevojë sidomos në mesfushë dhe në sulm, dy reparte ku mund të shtohet më shumë cilësi.
Mendoni se kundërshtarët në Europë duhen parë me frikë?
Aspak. Nuk duhet nënvlerësuar asnjë ekip, por as nuk duhet pasur frikë nga askush. Futbolli është bërë shumë i ekuilibruar dhe diferencat mes skuadrave janë zvogëluar ndjeshëm. Me përgatitjen e duhur dhe me një grup të kompletuar, Elbasani mund të luajë shanset e tij ndaj çdo kundërshtari.
Si e vlerësoni punën e trajnerit gjatë sezonit?
Trajnerin do ta konsideroja një person special. Është shumë i qetë dhe ka ditur të menaxhojë situata të ndryshme gjatë ndeshjeve. Ka treguar inteligjencë në leximin e lojës dhe ka ditur të gjejë zgjidhje në momentet e vështira. Mendoj se ka bërë një punë shumë të mirë dhe ka meritën e tij në sezonin pozitiv që zhvilloi skuadra. Meritë kanë edhe drejtuesit për çka është arritur në Elbasan.
Çfarë dëshire keni për Elbasanin në të ardhmen?
Si çdo njeri që e ka dashur dhe e do këtë skuadër, shpresoj që Elbasani të vazhdojë të rritet. Ka tifozë fantastikë dhe meriton të jetë gjithmonë në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Pse jo, do të doja shumë që në një të ardhme jo të largët të shoh sërish një trofe në Elbasan.
Qoftë një titull kampion apo një Kupë Shqipërie, do të ishte një gëzim i madh për të gjithë qytetin dhe për ata që kanë kontribuar ndër vite për këtë klub. Besoj se me punë, organizim dhe vazhdimësi, ky objektiv mund të bëhet realitet.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













