Merkato, 410 mijë euro përfitim për 12 lojtarë shqiptarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2012 | 10:30

Merkato, 410 mijë euro përfitim për 12 lojtarë shqiptarë

Që një futbollist ka qenë ose është në rangun e më të mirëve mund të shihet fare lehtë edhe nga kërkesat që kanë shkuar në drejtim të tij gjatë merkatos. Dhe natyrisht, nëse Kristiano Ronaldo konsiderohet si një ndër futbollistët më të mirë të viteve të fundit, e përforcon edhe fakti se për të Real Madrid pagoi plot 94 milionë euro gjatë transferimit të tij nga Mançesteri në Madrid. Në këtë rast të përfituar dolën që të dyja klubet, si Reali pasi mori një lojtar për të ardhmen, por edhe Junajtid, pasi mbushi më së miri arkën e vet. Nisur nga kjo logjikë, le të kthehemi te kampionati ynë. Edhe këtu ka lëvizje lojtarësh sa brenda për brenda sa edhe jashtë Shqipërisë, por me një diferencë të madhe, madje të jashtëzakonshme nëse flasim me terma financiarë. Fakt është se në rastin e Shqipërisë, është vetëm lojtari (ai që largohet jashtë) që përfiton nga kontrata që nënshkruan, ndërsa klubi i origjinës, për një mijë e një arsye mbetet duarbosh. Kështu, nëse analizojmë vetëm vitin 2011 vërejmë se nga 12 lojtarë që janë larguar nga kampionati shqiptar (në janar dhe në verë) drejt një klubi të huaj, janë përfituar vetëm 410 mijë euro, shifër kjo qesharake po të mendosh se tetë prej tyre janë pjesë e Kombëtares.
Nga Bakaj te Vajushi – Shitja më fitimprurëse e vitit të shkuar është kalimi i Elis Bakajt nga Dinamo e Tiranës te Dinamo e Bukureshtit. Në fund të janarit 2011, pas një tratative të shpejtë dhe me ndërhyrjen e Sulejman Demollarit (ka luajtur te Bukureshti në vitet 91-94), blutë e kryeqytetit lëshuan “asin” e tyre duke përfituar 250 mijë euro. Sakaq, para largimit të Bakajt edhe dy lojtarë të tjerë, njëri nga KS Tirana dhe tjetri sërish nga Dinamo ishin larguar duke zgjidhur kontratat e tyre kundrejt një shume të hollash. Kështu, Jahmir Hyka pagoi nga xhepi i tij 30 mijë euro për t’u larguar nga bardheblutë te Luzern në Zvicër. Lojtari nuk ishte paguar prej 5 muajsh te Tirana dhe pranoi të linte rrogën (6 mijë euro në muaj) vetëm që të zgjidhte kontratën. Të njëjtën gjë pati bërë pak a shumë edhe Isli Hidi te Dinamo, para se të largohej te Olimpiakos Nikosia në Qipro. Portieri i Kombëtares shqiptare (jozyrtarisht) pagoi një shumë prej 30 mijë eurosh për t’u larguar nga blutë e kryeqytetit drejt kampionatit qipriot. Ndërsa në ditët e fundit të 2011-ës erdhi edhe transferimi i fundit me parà në dorë. Bullgarët e Liteksit i paguan 100 mijë euro Vllaznisë për kartonin e Armando Vajushit duke e çuar në katër numrin e lojtarëve, nga të cilët u arrit të përfitohej financiarisht. Natyrisht, kjo është një shumë simbolike po të mendosh se pjesa më e madhe e futbollistëve shqiptarë të talentuar janë larguar me parametër zero.
Nga Sadiku te Roshi – Sakaq, mund të konsiderohej një 2011-të e mirë për tetë lojtarë të tjerë që arritën të firmosnin për një skuadër jashtë Shqipërisë, por më se negativ për klubet ku ata luanin në kampionatin tonë. Nisur nga informaliteti dhe koasi që mbizotëron, pjesa më e madhe e drejtuesve bëjnë kontrata sezonale me futbollistët, duke mos menduar fort për të ardhmen e klubit, por edhe për përfitimin që mund të nxjerrin nga shitja e kartonit të lojtarëve. Kështu, Andi Lila pasi përfundoi kontratën me Tiranën u largua te PAS Janina me parametër zero. E njëjta gjë edhe për Sabjen Lilaj, që të dy këta lojtarë të Kombëtares, nga ku teorikisht Tirana duhej të kishte marrë goxha të ardhura. Në të njëjtën linjë qëndron edhe Flamurtari, klub që në mënyrë të pashpjegueshme nuk bëri kontrata afatgjata me talentet e shkollës së vet, duke mos përfituar asnjë kacidhe nga largimi i Roshit në Gjermani te Këlni, apo i Zeqirit te Rizespor në Turqi. Nuk përfitoi asgjë as KS Elbasani nga shitja e Armando Sadikut te Lokarno në Zvicër, klub që pas vetëm një viti kërkon më shumë se 500 mijë euro për kartonin e sulmuesit shqiptar. Me parametër zero po te kjo skuadër kanë shkuar edhe Enco Malindi, nga Skënderbeu, si dhe Klodian Semina nga Vllaznia. Kjo tregon edhe një herë informalitetin dhe problematikën e madhe që ka mbërthyer futbollin shqiptar, aq sa drejtuesit jo vetëm që nuk kanë ide dhe projekte mbi të ardhmen e klubeve që drejtojnë, por nuk arrijnë as të përfitojnë shuma qoftë edhe minimale nga shitja e tektuk të ndonjë lojtari që falë cilësive të tij kërkohet nga skuadra jashtë vendit.
TRANSFERIMET GJATË 2011-ës
1. ELIS BAKAJ
JANAR 2011: Nga Dinamo te Dinamo e Bukureshtit për 250 mijë euro
2. ARMANDO VAJUSHI
DHJETOR 2011: Nga Vllaznia te Liteks, Bullgari, për 100 mijë euro
3. JAHMIR HYKA
VERË 2011: nga Tirana te Lyzernë, Zvicër, për 30 mijë euro
4. ISLI HIDI
JANAR 2011: Nga Dinamo te Olimpiakos Nikosia, Qipro, për 30 mijë euro
5. ANDI LILA
VERË 2011: Nga Tirana te PAS Janina, Greqi, për zero euro
6. SABJEN LILAJ
VERË 2011: Nga Tirana te Lokomotiva Zagreb, Kroaci, për zero euro
7. HAIR ZEQIRI
VERË 2011: Nga Flamurtari te Rizespor, Turqi, për zero euro
8. ODISE ROSHI
VERË 2011: Nga Flamurtari te Këlni, Gjermani, për zero euro
9. ARMANDO SADIKU
SHKURT 2011: Nga Elbasani te Lokarno, Zvicër, për zero euro
10. ENCO MALINDI
VERË 2011: Nga Skënderbeu te Lokarno, Zvicër, për zero euro
11. KLODIAN SEMINA
VERË 2011: Nga Vllaznia te Lokarno, Zvicër, për zero euro
12. BLEDION GUGA
VERË 2011: Nga KF Vlora te Balzan Juth, Maltë, për zero euro

Kroatët, 70 mijë euro përfitim nga Vila
Gjatë vitit 2011 është larguar nga Shqipëria edhe mesfushori i Kombëtares, Emiljan Vila, mirëpo për këtë lojtar skuadra e fundit ku ai luajti në Superiore, Dinamo, nuk përfitoi asnjë kacidhe. Faktikisht Vila ishte në huazim te blutë e kryeqytetit dhe kartoni i tij ishte në pronësi të Dinamos së Zagrebit, skuadër kjo e cila e kishte blerë që para dy sezonesh nga Teuta e Durrësit për 250 mijë euro. Duke qenë se lojtari nuk u ambientua me kampionatin kroat, ai u dha në huazim te Dinamo e Tiranës ku luajti për një sezon e gjysmë. Në verën e 2011-ës, lojtari u transferua te PAS Janina në Greqi dhe nga shitja e kartonit të tij vetëm Dinamo e Zagrebit arriti të merrte 70 mijë euro.

Superiorja, sa pak lëvizje me parà në dorë
Në 20 vjet, që pas rënies së komunizmit (më përpara nuk ekzistonte fjala: merkato), numërohen vetëm katër lëvizje lojtarësh nga një skuadër e Superiores te një tjetër, për të cilët është paguar një shumë parash. Në tri raste protagoniste është Tirana, klubi i vetëm që ka punuar mirë edhe me klubet e huaja, dhe në dy raste të tjera del në pah Dinamo dhe Flamurtari. Kështu, në 2006- 2007, Tirana pagoi 100 mijë euro Partizanit të Albert Xhanit për kartonin e Gjergji Muzakës. Në atë rast kjo gjë u pa si një kufi i pakalueshëm nga klubet e tjera, por dy sezone në vonë Dinamo e Besnik Sulajt pagoi po kaq për kartonin e Elis Bakajt, sërish Partizanit të Albert Xhanit. Nga ana tjetër, Tirana mori Tefik Osmanin për 40 mijë euro. Lëvizja e fundit me parà në dorë në Superiore është regjistruar në janarin e 2010-ës, teksa Flamurtari i paguante 30 mijë euro Tiranës për kartonin e Sebino Plakut (në fakt, jozyrtarisht është thënë se këtë shumë e pat paguar vetë futbollisti me qëllim që të largohej nga klubi bardheblu).
LËVIZJET NË SUPERIORE
1) Elis Bakaj- Dinamo Bukuresht
2008-2009 nga Partizani te KS Dinamo për 100 mijë euro
Totali në merkato: 100 mijë euro
2) Gjergj Muzaka- Skënderbeu
2006-2007 nga Partizani te KF Tirana për 100 mijë euro
Totali në merkato: 100 mijë euro
3) Tefik Osmani -KF Tirana
2008-2009 nga Partizani te KF Tirana për 40 mijë euro
Totali në merkato: 40 mijë euro
4) Sebino Plaku- Flamurtari
2010-2011 nga KF Tirana te Flamurtari për 30 mijë euro
Totali në merkato: 30 mijë euro

Klubet, vetëm 1.6 mln euro të ardhura në 20 vjet
Diçka më shumë se 1.6 milionë euro përfitime në harkun e 20 viteve. Shifër tejet e vogël, po të mendosh për listën e stërgjatë të emrave të lojtarëve që janë larguar nga Shqipëria duke bërë karrierë në klubet e huaja. Që pas rënies së komunizmit, në futboll nisi eksodi drejt vendeve të perëndimit, me një synim të vetëm: gjetjen e një sistemimi te një klub elitar. Askush nuk mendonte për vlerën që kishte një lojtar në tregun botëror dhe shumë pak tentonin që të nxirrnin përfitime nga merkato. Madje deri pas viteve 2000 ekziston zyrtarisht vetëm një tratativë me parà në dorë: ajo mes Dinamos së Bukureshtit dhe Dinamos së Tiranës për kartonin e Sulejman Demollarit.
Salihi – Nëse lëmë pas kalimin e Demollarit në Rumani do të duhet të presësh sezonin 2006-2007 për të parë një tjetër lëvizje, nga ku një skuadër shqiptare arrin të nxjerrë përfitim nga shitja e një lojtari. Ndonëse nuk është shpjeguar asnjëherë totalisht, ish-shefi i klubit të Tiranës asokohe Shkëlqim Muça vuri veton duke mos lejuar kalimin e Hamdi Salihit te Riedi në Austri pa u paguar vlera e kartonit. Sipas të dhënave jozyrtare, klubi bardheblu pas shumë tratativash, kryesisht me lojtarin arriti të merrte 30 mijë euro. Natyrisht një shifër shumë e vogël kjo po të mendosh se një sezon e gjysmë më vonë, Riedi e shiti kartonin e Salihit te Rapidi i Vjenës për plot 600 mijë euro.
Të tjerët – Ndërkohë, nëse vëren me kujdes, klubi që ka ndjekur politika financiare më të mira në vitet e fundit ka qenë Vllaznia. Shkodranët, jo vetëm që kanë mundur të nxjerrin talente nga akademia e tyre, por kanë përfituar edhe shuma të konsiderueshme. Kështu në 2008-2009 për treshen G.Lika-Sukaj-Teli, klubi kuqeblu mori 300 mijë euro nga turqit e Haçetepes. Dy sezone më vonë, po shkodranët bënë një tjetër transferim fitimprurës, kur shitën kartonin e Bekim Balës te Genxherbiligi për 200 mijë euro. Sakaq një shifër të konsiderueshme mori edhe Teuta e Durrësit për Emiliano Vilën në 2009-2010 nga Dinamo e Zagrebit: 250 mijë euro, ndërsa Olimpiku i Tiranës përfitoi 100 mijë euro nga kalimi i Jahmir Hykës nga Olimpiakosi i Pireut te Mainzi në Gjermani. Duke qenë se Hyka kishte dalë nga Akademia e Olimpikut, në bazë të rregullores së FIFAs, ky klub përfitonte një shumë të konsiderueshme nga shitja e kartonit.
TRANSFERIME NË VITE
SULEJMAN DEMOLLARI
1991-1992: Nga Dinamo te Dinamo e Bukureshtit për 120 mijë euro
HAMDI SALIHI
2006-2007: Nga Tirana te SV Ried, Austri, për 30 mijë euro (?)
GILMAN LIKA
2008-2009: Nga Vllaznia te Haçetepe, Turqi, për 100 mijë euro
BEKIM BALA
2010-2011: Nga Vllaznia te Genxherbiligi, Turqi, për 200 mijë euro
XHEVAIR SUKAJ
2008-2009: Nga Vllaznia te Haçetepe, Turqi,për 100 mijë euro
ADMIR TELI
2008-2009: Nga Vllaznia te Haçetepe, Turqi, për 100 mijë euro
JAHMIR HYKA
2008-2009: Nga Olimpiakos te Mainzi, Gjermani, për 300 mijë euro
(Olimpiku i Tiranës përfitoi 100 mijë euro si skuadra nga ku doli si talent)
EMILIANO VILA
2009-2010: Nga Teuta te Dinamo Zagreb, Kroaci, për 250 mijë euro
SELINO PLAKU
2007-2008: Nga Dinamo te Ham-Kam, Norvegji, për 30 mijë euro
RENATO ARAPI
2007-2008: Nga Besa te Silkeborg, Danimarkë, për 65 mijë euro
ANSI AGOLLI
2009-2010: Nga Tirana te Krivbas, Ukrainë, për 30 mijë euro
KLODIAN SEMINA
2007-2008: Nga Vllaznia te Belastica, Bullgari, për 10 mijë euro
ENCO MALINDI
2007-2008: Nga Partizani te Slavia Sofje, Bullgari, për 80 mijë euro

“Plejada e artë”, me parametër zero
Në shumicën e rasteve futbollistët shqiptarë kanë kaluar nga njëri klub te tjetri me parametër zero. Kësaj nuk i kanë shpëtuar as lojtarët më të mirë shqiptarë të pas viteve 90 duke filluar që nga Strakosha, Kola, Kushta, Lekbello, Bushi, Haxhi, Fatmir Vata, Rudi Vata, Edvin Murati, Altin Lala, Ervin Skela, Erjon Bogdani, etj, të cilët janë larguar nga Shqipëria që të gjithë me parametra zero. Sigurisht, kaosi që përfshiu Shqipërinë e pas viteve 90 nuk kishte sesi të mos ndikonte edhe në futboll. Madje, në sport u ndje edhe më shumë, aq sa edhe sot e kësaj dite nuk flitet ende për një zgjidhje definitive, sikundër ka ndodhur në vendet e tjera të lindjes. Në këtë mënyrë elita e futbollit shqiptar, edhe pse doli nga shkollat e skuadrave shqiptare, u largua, jo për fajin e tyre natyrisht, pa asnjë ndikim pozitiv financiar karshi klubeve të origjinës. I vetmi lojtar për të cilën është paguar një shumë e konsiderueshme parash në Demollari, i vetmi për të cilin është paguar në vitet 1990-2000 vitin 1991 ka qenë Sulejman Demollari. Asokohe, Dinamo e Bukureshtit dha zyrtarisht (por nuk dihet se ku përfunduan ato parà) plot 175 mijë dollarë ose rreth 120 mijë euro, klubit të Dinamos për kartonin e këtij futbollisti. Një fakt të tillë e ka pohuar edhe vetë Demollari në intervistat e tij të mëvonshme në shtypin shqiptar.

MENAXHERI
“Ja pse klubet s’fitojnë nga shitja e lojtarëve”

Ka disa arsye se përse klubet shqiptare nuk arrijnë dot të përfitojnë nga shitja e lojtarëve të tyre. Sipas një prej menaxherëve më të njohur në vend, Kosta Grillo, problematika më e madhe qëndron te mënyra sesi drejtohen klubet në Shqipëri. Sipas tij, presidentët, nëse të tillë mund të quhen, nuk kanë jo vetëm strategji e ide mbi të ardhmen, por ngurojnë edhe të bëjnë kontratat afatgjata me lojtarët pasi çdo gjë e shikojnë si të përkohshme. “Shikoni, problemi është kompleks, por peshën më të madhe të fajit e kanë drejtuesit e klubeve. Ne kemi marrë shumë nga mënyra e drejtimit të klubeve në Evropën Lindore, sidomos në vendet e ish- Jugosllavisë, por nuk kemi kopjuar si duhet gjënë më themelore: bërjen e kontratave afatgjata me lojtarët. Presidentët e kanë parë, të paktën deri tani, çdo gjë si të përkohshme dhe askush nuk ka menduar për të ardhmen e afërt dhe mënyrën sesi mund të nxjerrin të ardhura nga akademitë dhe shitja e talenteve. Ka bërë diçka më shumë Vllaznia e Shkodrës në këtë drejtim, por klubet e tjera kanë qenë vendnumëro. Ndërkohë, te drejtuesit nuk ka seriozitet as te pagesat, prandaj edhe nuk preferojnë që të bëjnë kontrata më shumë se një sezon”, thekson Grillo në një prononcim për “Panorama Sport”. Sakaq, sipas tij, edhe lojtarët nuk janë të predispozuar që të bëjnë kontrata të gjata në kohë, pasi duan medoemos që të ikin jashtë Shqipërisë. “Edhe vetë lojtarët nuk bëjnë kontrata të gjata, ose vendosin në to klauzola se po të kërkohen nga një klub i huaj janë të lirë të ikin me parametra zero. Sipas meje, kjo i dëmton rëndë klubet, sepse lojtarët i përdorin si trampolina dhe më pas largohen te një klub i huaj, ku përfitojnë shumë herë më shumë dhe pa pasur pengesa për marrjen e dokumentacionit. Në gjykimin tim, klubet duhet me patjetër të bëjnë plane e strategji, pasi shitja e lojtarëve është një nga të ardhurat më të larta që mund të ketë një klub”, përfundon Grillo.
LEONARD KARAJ