Martini “izolon” ekipin larg trysnisë në Shkodër, Vllaznia zhvendoset në “plazh”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2026 | 20:40

Martini “izolon” ekipin larg trysnisë në Shkodër, Vllaznia zhvendoset në “plazh”

Vllaznia prej të mërkurës ka nisur grumbullimin në zonën bregdetare të Velipojës, rreth 30 minuta larg Shkodrës, duke zgjedhur kështu një ambient ndryshe për përgatitjet e radhës.

martini

Larg rutinës së përditshme dhe presionit që shoqëron zakonisht ekipin në qytet, kuqeblutë kanë vendosur të fokusohen maksimalisht te puna në fushë, në prag të sfidës së rëndësishme të kampionatit. Duket se trajneri Martini synon mbi të gjitha të ruajë frymën pozitive që mbizotëron në skuadër, si dhe vazhdimësinë e rezultateve të mira.

Larg zhurmës së mediave dhe klimës së ngarkuar futbollistike të Shkodrës, stafi teknik beson se ekipi do të ketë më shumë qetësi për të përgatitur detajet taktike dhe për të forcuar harmoninë mes repartesh. Kësisoj, shkodranët do të zhvillojnë përgatitjet për ndeshjen ndaj Teutës pikërisht në Velipojë, ku kushtet atmosferike janë optimale dhe infrastruktura ofron komoditetin e nevojshëm për një ekip me objektiva të qarta.

Seancat stërvitore po zhvillohen me intensitet, ndërsa vëmendja është përqendruar te aspekti fizik dhe ai taktik, në funksion të përballjes së radhës. Ambientet e qeta dhe pranë natyrës pritet të lënë akoma më shumë të përqendruar futbollistët kuqeblu. Për 9 herë kampionët e vendit, çdo detaj ka rëndësi dhe zgjedhja e Velipojës si bazë përgatitore shihet si një hap strategjik për të mbajtur ekipin larg presionit dhe të fokusuar vetëm te objektivi: një paraqitje dinjitoze dhe rezultat pozitiv përballë Teutës.

PANORAMASPORT.AL