Largimet e Partizanit, ish-futbollistët zgjedhin eksperienca të reja vetëm jashtë. I fundit firmosi për herë të parë në…
Para fillimit të këtij sezoni, Partizani vendosi largimin e nëntë futbollistëve nga grupi. Një element që bie në sy është fakti se asnjëri prej tyre nuk ka zgjedhur të vijojë karrierën në Shqipëri, duke preferuar eksperienca jashtë Shqipërisë. I fundit që ka gjetur ekip të ri është Anteo Osmanllari.

26-vjeçari u bashkua me Partizanin verën e kaluar, por në sezonin e tij të parë në kryeqytet nuk arriti të sigurojë minuta vazhdimisht. Pas një viti, palët ndanë rrugët me mirëkuptim dhe futbollisti u vu në kërkim të një destinacioni të ri. Zgjidhja erdhi nga Superliga e Kosovës, ku Drenica e prezantoi dje si pjesë e projektit të ri, me plot 12 lojtarë të rinj të zyrtarizuar në një ditë. Kjo do të jetë aventura e parë jashtë Shqipërisë për Osmanllarin, i cili deri më tani kishte luajtur vetëm në Superiore dhe Kategorinë e Parë. Objektivi i Drenicës duket i qartë, mbijetesa në elitën e futbollit kosovar.
Përveç Osmanllarit, largimet e verës përfshijnë edhe emra të tjerë si David Domgjoni, Dmitri Padstrelau, Agim Zeka, Gjelbrim Taipi, Jozef Mintongo, Blesing Eleke, Nikola Vujnoviç dhe Herolind Shala. Tre të fundit, Eleke, Vujnoviç dhe Shala, mbeten ende pa skuadër. Ky i fundit u dëmtua gjatë fazës përgatitore për ndeshjet europiane të Partizanit, ndërsa sulmuesit Eleke dhe Vujnoviç po vijojnë të kërkojnë një ekip të ri për sezonin e ardhshëm.
Futbollistët e larguar kanë zgjedhur destinacione të ndryshme jashtë vendit. Domgjoni firmosi me Hapoel Jerusalemin në elitën izraelite, duke përmbushur një dëshirë të vjetër. Bjellorusi Padstrelau u rikthye te Dinamo Minsk, skuadër nga ku ishte larguar më parë. Zeka u transferua në Spanjë te Real Murcia, klub që militon në kategorinë e tretë, ndërsa mesfushori Taipi kaloi te Prishtina, një tjetër klub si Drenica në Superligën e Kosovës. Mintongo vendosi të rikthehet në vendlindje pas huazimit, pikërisht te Fortuna du Mfu në Kamerun.
Kjo shpërndarje e ish-futbollistëve të kuq tregon një tendencë të qartë për të luajtur jashtë vendit pas eksperiencën me Partizanin, pavarësisht nivelit apo destinacionit. Për Partizanin, këto largime erdhën për të nisur një cikël të ri, duke hapur vend për lojtarët e rinj dhe afrimet e merkatos.
EMANUEL LOCI – PANORAMASPORT.AL













