Laluci “shkund” Flamurtarin: Ekip empirik, i limituar dhe me mbrojtje për të ardhur keq
Vangjel Laluci analizë Flamurtarit. Ishdrejtori sportiv është kritik, teksa thotë se kuqezinjtë janë një ekip empirik dhe i limituar. Sipas tij, ky Flamurtar kaq i ka kapacitetet dhe nuk mund të pitet më shumë. Për “Panorama Sport”, Laluci thekson se kjo skuadër po pëson gola foshnjarakë.

“Vora u shokua kur dolëm ne pasi kishin bërë disa ndryshime si në vendosje, si skemë taktike. Edhe Ballai e kishte përgatitur ndeshjen në një tjetër formë.
Ne krijuam një lloj presioni që ata u hutuan por nuk ditëm që ta shfrytëzojmë. Edhe goli nga ai shkak erdhi. Është hera e parë që ne ndryshojmë skemën. Risia ishte 4 mesfushorët në një linjë të drejë, duke spostuar Muratajn dhe më pas Ramirezin dhe Maksutin. Kjo dha impaktin e vetë, sepse Bellain e gjeti të papërgatitur. Duhet thënë që mua minutat e para më dhanë shpresë me atë presing. Topin e kishim ne në zotërim, 56%.
Duhet vlerësuar trajneri dhe ekipi. Ata u munduan dhe mua më duket se ai është maksimumi i këtij ekipi. Ky yni është një ekip empirik dhe tepër i limituar. Kjo është e vërteta dhe duhet të marrim masat. Nuk janë lojtarë këta që ne na ngrënë. Janë vetëm disa elementë që bëjnë një lloj diference, të tjerët nuk i kemi. Ne po marrim gola që tashmë nuk janë më episodik. Po mbaron edhe faza e dytë. Ti si trajner, si specialist, duhet ta lexosh dhe ta kuptosh se çfarë po të ndodh”, shprehet fillimisht Laluci.
MBROJTJA E DOBËT – Tepër kritik Vangjel Laluci shprehet me mbrojtësit për të cilët thotë se nuk mund t’i quash të tillë. “Ne kemi pësuar gola foshnjarakë dhe unë po të them se në këtë kampionatin tonë si lartë dhe si poshtë, duhet që të kesh një mbrojtje solide. Ne kemi një mbrojtje për të ardhur keq. Nuk e di nëse ata mund të quhen mbrojtës. Edhe ai si trajner nuk është i bindur se kë ka mbrojtës. Unë kam prirjen dhe lojën mbrojtëse e shikoj shumë.
Jam shumë fanatik dhe aty nuk bëj kompromis. Sidomos aty ku nuk falet është tek mbrojtja. Ti duhet ti rrish ngjitur dhe me instikt ta parashikosh. Ai gol që ne pësuam me Vorën…E di çdo të thotë për ne të shënojmë? Do të thotë ta mbajmë atë gol se nuk e shënojmë dot më dhe kjo po na ndodh në çdo ndeshje. Që nuk futet topi nga brenda e mësojmë që 10 vjeç dhe ky është skandali i skandaleve. Si mundet që të kalojë gjithë pasqyra dhe t’i si mbrojtës si nuk e mbyll?! Nuk e di por kjo është shumë qesharake”, thotë ish drejtori i klubit.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













