Kapiteni i Teutës motivon ekipin, Kotobelli: Në transfertë fiton karakteri
Në prag të një prej transfertave më të ndërlikuara të këtij sezoni, Teuta udhëton drejt Ballshit për t’u përballur me Bylisin, një skuadër që di të jetë e ashpër dhe kërkuese në fushën e saj.

Atmosfera në kampin durrsak është e përqendruar dhe e qetë, kapiteni Blerim Kotobelli kërkon të konfirmojë rritjen e javëve të fundit. Teksa ndeshja pritet me interes të madh nga tifozët, Kotobelli ndalet për pak çaste për të folur për pritshmëritë, përgatitjet dhe sfidat që i presin djemtë e tij në këtë duel të rëndësishëm.
Blerim, si po e përgatit ekipi këtë transfertë ndaj Bylisit? Ekipi ka punuar me shumë intensitet gjatë javës. E dimë që Bylisi është i fortë në shtëpi, por jemi të fokusuar te loja jonë. Kemi analizuar pikat e tyre të forta dhe besoj se jemi gati të japim maksimumin.
Sa i rëndësishëm është rezultati i kësaj ndeshjeje për Teutën? Çdo ndeshje ka peshën e vet, por kur vjen në transfertë kundër një skuadre që lufton fort, duhet të tregosh karakter. Pikët janë shumë të rëndësishme për objektivat tona dhe ne do të hyjmë në fushë për t’i marrë.
Cili mendon se është faktori vendimtar për të dalë me rezultat pozitiv? Qetësia dhe përqendrimi. Transfertat shpesh bëhen të vështira nga detaje të vogla. Nëse ruajmë balancën mes mbrojtjes dhe sulmit dhe zgjidhim situatat me maturi, besoj se do të kemi epërsi.
Si kapiten, çfarë i kërkon skuadrës para këtij takimi? Të luajmë me personalitet dhe të mos dorëzohemi në asnjë moment. Dua të shoh një Teutë të bashkuar, agresive dhe me vullnet deri në minutën e fundit.
Mesazhi yt për tifozët para ndeshjes? Tifozët janë forca jonë më e madhe. Edhe pse jemi në transfertë, e dimë që do t’i kemi afër me mbështetjen e tyre. I ftoj të vazhdojnë të besojnë te ne. Ne do të japim gjithçka për t’i bërë krenarë.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













