Ish-trajneri i Partizanit, Veselinoviç “spiunon” te kroatët: Ilir Daja është forca e madhe e Dinamos
Mediat kroate kanë përzgjedhur ish-trajnerin e Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, për të zbërthyer Dinamon dhe trajnerin Ilir Daja para duelit me Hajdukun.
Ja shkrimi dhe analiza që ish-trajneri serb i Partizanit i bënë Dinamos për mdiat kroate: “Le të bashkojmë të gjitha forcat që Hajduku të kalojë Dinamon nga Tirana, ose më saktë Dinamo City nga kryeqyteti shqiptar, dhe në këtë drejtim na vjen në ndihmë, si gjithmonë me kënaqësi, Aleksandar Veselinoviç. Miku ynë Aco, ish-pionier dhe junior i Hajdukut nga fundi i viteve ’80, nga gjeneratat e Bokshiçit, Jeliçiçit, Novakoviçit, Vojkoviçit, Jurkoviçit dhe Vuçeviçit, gjithmonë na përgjigjet kur e ftojmë. Nuk ka nevojë të theksohet shumë se ai është i lidhur përgjithmonë me Hajdukun, klubit të të cilit i ka dhuruar fëmijërinë dhe rininë e hershme, edhe pse nuk arriti kurrë të luante për ekipin e parë. Si një adhurues i madh i Tomislav Iviçit, ka marrë pjesë edhe në kujtimet e përbashkëta për të, bashkë me Zheljko Mijaçin dhe Shimo Luketinin.
Sot ndodhet në Konjiç të Bosnjës, në përgatitje me një skuadër të Katarit, klubin e ligës së dytë Muaither, ku është trajner prej disa kohësh me objektivin për t’u ngjitur në ligën e parë. Konjiçi është zgjedhur si vend ideal për stërvitje verore: pa vapë dhe temperatura të larta. Megjithatë, gjithmonë hedh një sy nga Hajduku. Kjo na intereson veçanërisht tani, sepse Dinamo City ai e njeh shumë mirë. Sezonin e kaluar ishte i suksesshëm në kampionatin shqiptar në stolin e Partizanit, rivalit të madh nga Tirana. Dhe kur njëra anë ishte Partizani, e tjetra Dinamo City, fituesi ishte Veselinoviçi. E njëjta gjë pritet edhe nga Gonzalo Garcia.
TAKTIKA E MIRË –”Ishim më të mirë, i dominuam… Mendoj se, pa dashur të mburrem, përgatita një taktikë të mirë. Çelësi është t’i lexosh mirë dhe pastaj t’u kundërviheshm, thotë Aco, i cili pas Hajdukut ka ndërtuar një karrierë të spikatur trajnimi edhe jashtë vendit. -”Dua të theksoj se trajneri i Dinamos tani është Ilir Daja dhe ai u jep forcën më të madhe. Shikoni vetëm biografinë e tij: ai ka mundur Dinamon e Zagrebit 2-0 kur ishte në stol me Ballkanin…” Po, por atëherë Bosko Shutalo bëri disa gabime, ia kujtojmë ne. – “Mirë, por nuk mund t’i mohosh gjithçka që ka bërë Daja. Ka fituar titullin kampion të Shqipërisë me Elbasanin, Dinamon e Tiranës dhe Skënderbeun. Kampion në tre vende të ndryshme. Dhe nuk mjaftoi me kaq: tre herë kampion i Kosovës me Ballkanin dhe ka hyrë në fazën e grupeve të Conference League. Hajduku përballë ka një trajner me shumë përvojë, me filozofi të qartë loje, me theks te posedimi i topit, një takticient i shkëlqyer”.
KËSHILLAT PËR HAJDUKUN – “Daja është një nga trajnerët më të vlerësuar në rajonin shqiptar. Unë e kam mundur, por ndeshja mund të kishte shkuar edhe në anën e tij. Ai ka ide të qarta loje: pasime të shpejta nga prapavija dhe tranzicione që mund të krijojnë probleme. Hajduku duhet t’i bëjë presing të fortë, për të mos lejuar ndërrimin e shpejtë të pozicioneve. Ata ndryshojnë shumë pozicionet dhe kështu e çorientojnë kundërshtarin”.
PIKAT E DOBËTA – “Hajduku mund të shfrytëzojë dy mbrojtësit e krahut të tyre, që shpesh ngjiten përpara dhe lënë hapësira prapa. Portieri është një tjetër pikë e dobët: nuk është i mirë me topat e ulët, gjuani në këndet e poshtme, kjo është “vdekja” e tij. Po ashtu, mbrojtja e tyre në goditjet standarde nuk është e fortë, nuk kërcen mirë. Nëse e shtyp, Hajduku mund të marrë rezultat të mirë”.
ÇFARË ËSHTË E RREZIKSHME PËR HAJDUKUN? – “Kundërsulmet e tyre. Kanë lojtarë shumë të shpejtë si Zabergja (edhe pse, nga sa dëgjoj, është shitur në Ukrainë te Metalisti pas kualifikimeve) dhe Bergu. Gjithashtu, kam lexuar se Itodo nuk do të luajë në Europë, çka është lajm i mirë për Hajdukun. Por këta lojtarë janë të rrezikshëm në hapësirë dhe të vështirë për t’u mbrojtur”.
SHANSI I HAJDUKUT – “Besoj se shansi më i madh për Hajdukun është ndeshja e parë në shtëpi. Në Poljud, atmosfera mund t’i dëmtojë ata. Në Tiranë nuk kanë stadiumin e tyre, luajnë në Elbasan, ndërsa përballë Hajdukut do të zhvendosen në “Arenën Kombëtare”. Në Elbasan nuk i ndjekin shumë tifozë, ndryshe nga Partizani apo Tirana”.
VESELINOVIÇI E MBYLL ME NJË BUZËQESHJE: –”Mund t’ua vizatoj të gjithë planin Vuçeviçit dhe stafit të tij nëse duan. E di mirë si të luash kundër Dinamos, por nuk dua të imponohem. I uroj Hajdukut fat, sepse ai është rinia ime e paharrueshme”. Në stafin e tij është edhe shqiptari nga Spliti, Vlade Bendiç, trajner kondicioni me përvojë në klube të Arabisë Saudite dhe Katarit. “Është njeri i shkëlqyer”, – përfundon Veselinoviçi.
PANORAMASPORT.AL













