Ish-futbollisti këshillon Elbasanin, Dalipi: Me Dinamon do jetë njëlloj si me Egnatian, por titulli është ende i hapur
Ish-futbollisti i njohur i Elbasanit, Kujtim Dalipi, ka analizuar për “Panorama Sport” situatën aktuale të verdhebluve pas humbjes ndaj Egnatias, si dhe sfidën e radhës kundër Dinamos.

Sipas tij, disfata e fundit nuk duhet parë si një alarm i madh, por më tepër si një kombinim i euforisë së krijuar në skuadër dhe meritës së kundërshtarit, i cili shfrytëzoi në maksimum momentin. Dalipi thekson se gara për titullin kampion është ende plotësisht e hapur dhe se gjithçka mund të vendoset vetëm në javën e fundit të kampionatit.
HUMBJA ME EGNATIAN – Kujtim Dalipi mendon se Elbasani nuk zhvilloi ndeshjen e tij më të mirë, por një pjesë e madhe e meritës i takon edhe Egnatias, e cila sipas tij hyri në fushë më e qetë dhe pa presion. ”Unë mendoj se humbja me Egnatian ishte më shumë pasojë e një euforie që ishte krijuar te ekipi pas rezultateve pozitive gjatë gjithë sezonit, edhe pse javët e fundit vinin pas humbjeve. Kur një skuadër kalon një moment shumë të mirë, ndonjëherë lojtarët e humbin pak përqendrimin dhe mendojnë se gjithçka do të vijë vetvetiu. Kjo ndodhi edhe në këtë ndeshje. Duhet t’i japim meritën edhe Egnatias, sepse është një skuadër shumë cilësore, me lojtarë me eksperiencë dhe me individualitete që dinë ta zgjidhin ndeshjen. Ata erdhën më të lirshëm psikologjikisht dhe e shfrytëzuan shumë mirë këtë avantazh. Kur luan ndaj ekipeve të këtij niveli, mjafton një moment pakujdesie dhe ndëshkohesh menjëherë. Pikërisht kjo ndodhi me Elbasanin”, u shpreh fillimisht ish futbollisti i njohur elbasanas.
DUELI ME DINAMON – Kujtim Dalipi paralajmëron se sfida e së dielës ndaj Dinamos do të jetë po aq e vështirë sa ajo me Egnatian. Sipas tij, kundërshtari ka cilësi dhe eksperiencë, ndaj Elbasani duhet të reagojë menjëherë. ”Me Dinamon është pothuajse e njëjta situatë. Është një skuadër me emër, me futbollistë cilësorë dhe me eksperiencë. Nuk të fal nëse nuk je në ditën tënde më të mirë. Pas një humbjeje të tillë, gjëja më e rëndësishme është reagimi. Ekipi duhet të tregojë karakter dhe të hyjë në fushë me bindjen se mund ta fitojë ndeshjen. Dinamo do të përpiqet të përfitojë nga gjendja emocionale e Elbasanit, prandaj verdheblutë duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të ruajnë ekuilibrin gjatë gjithë takimit”, vijoi më tej Dalipi.
ANA PSIKOLOGJIKE – Ai vlerëson se problemi kryesor i momentit nuk është aspekti teknik apo fizik, por gjendja psikologjike e skuadrës. ”Unë besoj se ekipi duhet të punojë shumë më tepër me anën psikologjike. Futbollistët duken të rënë moralisht pas kësaj humbjeje dhe kjo është krejt normale, por pikërisht në këto momente duhet të tregosh forcën e një grupi. Trajneri dhe stafi teknik duhet t’u rikthejnë lojtarëve besimin. Ata duhet të kuptojnë se një humbje nuk e rrëzon gjithë punën e bërë gjatë sezonit. Nëse Elbasani arrin të rikuperohet mentalisht, atëherë ka çdo mundësi të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të vazhdojë të luftojë për objektivat madhorë”, theksoi ish futbollisti i njohur.
TITULLI – Për Dalipin, kampionati nuk ka ende një favorit absolut dhe çdo javë mund të ndryshojë balancat. ”Lufta për titull është plotësisht e hapur. Nuk mendoj se ka mbaruar asgjë. Në këtë fazë të kampionatit çdo ndeshje ka peshë të jashtëzakonshme dhe çdo ekip mund të gabojë. Do të jetë një garë që mund të vendoset vetëm në ndeshjen e fundit. Kjo e bën kampionatin edhe më interesant dhe më emocionues. Elbasani duhet të besojë deri në fund. Në futboll gjithçka është e mundur kur ke grupin, cilësinë dhe dëshirën për të arritur suksesin”, pohoi në vijim ish mesfushori i njohur.
EKSPERIENCA – Në analizën e tij, Dalipi shton se momente të tilla janë pjesë normale e rrugëtimit të një skuadre që synon objektiva të mëdhenj. ”Çdo ekip që lufton për titull kalon edhe periudha të vështira. Ajo që bën diferencën është mënyra si reagon pas një goditjeje. Elbasani ka treguar gjatë sezonit se ka potencial, organizim dhe cilësi. Prandaj nuk duhet të humbasë besimin për shkak të një rezultati negativ. Nëse skuadra ruan qetësinë, rikthen besimin dhe luan me përqendrim maksimal, atëherë mund të arrijë gjithçka deri në fund të kampionatit”, përfundoi Kujtim Dalipi.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













