“I lumtur për Diegon që po tregon veten në Superiore”, Kërnaja pas fitores së Partizanit: Tani jemi më komod për derbin, sigurisht do e fitojmë
Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, ka qenë i kënaqur me atë që ka parë nga skuadra e tij e cila mori fitoren e radhës në kampionat dhe i largohet zonës së ftohtë të klasifikimit, duke parë drejt katërshes së kreut.

“Fillimisht i uroj shërim të shpejtë Edlir Tetovës dhe kthim sa më të shpejtë në fushat e sportit.
Të them të drejtën jam i lumtur me sakrificën e çunave, me mënyrën se si luajtën. Ishim gjithë kohës në posedim topi duke kërkuar të gjenim golin, ndryshuam disa herë. Kishim raste, por erdhi me Diegon dhe jam i lumtur me të që po arrin të tregojë vetën në Superiore.
Gjatë gjithë javës përdorëm tjetër mënyrë, në vend të Bintsuka ishte Mehmeti, por një virozë beri që Bintsuka ta zëvendësonte. Ai nuk është lojtar i tillë, u munduam ta përshtatnim. Nuk ia dolëm në pjesën e parë, u munduam të ndërronim. Diego është lojtar zone dhe arritëm të shënonim me anë të Diegos, por mund ta bënte edhe Buxhelaj, kundërshtari nuk kishte rrezikshmëri. Ndryshuam edhe modul, futem edhe Sembene që vinte nga një dëmtim shumë i gjatë dhe rezultati ishte shumë i drejtë.
Ekipi qarkulloi topin gjithë kohën dhe ne nuk duhet të nxitoheshim e bënim gabime mbrapa. Mos harrojmë, 10 minuta para golit Kontreras kishte rast tjetër i vetëm me portierin, ekipi mund të merrte më shumë qetësi nëse shënonte. Ndërruam disa lojtarë, disa herë mënyrë loje, futëm edhe Koten që është më ofensiv. Nuk është se kemi pasur lojtarë në zonë. Nga nesër do të shoh e analizoj ndeshjen.
Çunat bënë maksimumin sot, mos harrojmë që rrezikonim 4-5 lojtarë sot, edhe në media është përmendur që rrezikojnë ata e unë. Por në asnjë moment nuk e kemi menduar punën e kartonëve. Nesër fillon përgatitja për derbin, nuk besoj se do jetë problem shumë i madh, dihet që luhet për ta fituar. Do bëjmë maksimumin, pastaj renditja ka vlerë. Situata është komplet ndryshe, tani jemi pak më shumë komod, nuk kemi presionin e fazës së parë dhe ndoshta këtë herë mund të fitojmë ne dhe sigurisht që do të fitojmë”, tha Kërnaja për RTSH pas sfidës.
PANORAMASPORT.AL













