I dhuroi fitoren Laçit kundër Elbasanit, Tresa: Ja kujt ia dedikova golin e parë të këtij sezoni
Shënoi golin e parë me Laçin këtë sezon në kampionat dhe rezultoi me fat, sepse i dha në fund kurbinasve tri pikët e para në transfertë. Në prononcimin e dhënë në fund të ndeshjes për “Panorama Sport”, sulmuesi Ledjo Tresa rrëfen emocionet.
“Normalisht që ndjehem shumë i lumtur, por më shumë më gëzon tri pikëshi që mori skuadra. Vinim pas një humbjeje javën e kaluar dhe ishte një situatë jo e mirë për ne. Ne në çdo ndeshje hyjmë në fushë me mendimin për të fituar, si brenda edhe jashtë fushe. Këtë gol ia dedikoj familjes”, u shpreh fillimisht 20-vjeçari.
Në vijim, ai pohon se me të njëjtat pretendime do të hyjnë në fushë edhe ndaj Partizanit këtë fundjavë që e luajnë në shtëpi.
“Me Partizanin janë emocionet që të inkurajojnë të vazhdosh më fort, edhe për emrin e ekipit që kemi përballë që të bën të luftosh”.
Në fund, ai ndalet edhe tek objektivat e Laçit, ku pretendojnë të marrin më të mirën pas çdo ndeshjeje.
“Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme dhe pretendojmë t’i marrim maksimumin që të arrijmë objektivin tonë. Objektivi personal është ta ndihmoj skuadrën për të shënuar sa më shumë gola dhe asistime”, tha Tresa për “Panorama Sport”.
PANORAMASPORT.AL













