OPINION/ Letër Edi Ramës, të paaftët po ju sabotojnë sportin…
Nga ARTAN SHYTI

Edi Ramës, letër një miku. I nderuar Kryeministër! Kemi vite pa komunikuar por, me kujtimet e atij bashkëpunimi të dikurshëm, vazhdoj të të quaj personalisht mik. Po të shkruaj publikisht, i nxitur nga reflektimet tuaja në situatën aktuale, rreth asaj që duhet ndryshuar në qeverisje. Unë e kam kollaj të flas për sportin dhe jam i bindur që duhet të ndryshoni shumë në të, aq shumë sa nuk e imagjinoni. Keni 13 vite në drejtim dhe sporti ka qenë dhe mbetet një sektor katastrofik. Lërini mënjanë ata që iu thonë se kemi bërë progres, se kemi zhvilluar sportin. E vërteta e thjeshtë është që, po, ju keni treguar më shumë vëmendje se më parë për sportin, keni dhënë më shumë para por, fatkeqësisht keni bërë dy gabime të mëdha: Këto para i keni dhënë në drejtimin e gabuar. Drejtimin strukturës shtetërore të sportit e keni lënë në duar të gabuara. E mbaj mend nga bashkëpunimi me ju dikur që keni një besim të verbër tek ata që caktoni të bëjnë një detyrë. Besimin e keni të drejtë. Verbërinë të gabuar. Njerëzit që keni caktuar në këto vite të drejtojnë sportin kanë bërë gjithçka që ta sabotinin këtë sektor. Jo se e kanë bërë me qëllim. Thjesht ishin dhe janë të pa aftë. Por kjo pa aftësi nuk iu ka bërë juve përshtypje, nuk keni bërë kurrë një analizë serioze çfarë duhet bërë, çfarë është bërë dhe si është bërë. Dhe, pavarësisht dashamirësisë tuaj për të ndihmuar sportin, kjo mungesë analize është konkretizuar në skandale të panumërta drejtimi si në planin konceptual ashtu edhe në përditshmërinë e funksionimit. Në fakt, shtysë për këtë komunikim ishte ideja juaj që qytetarët nuk mjaftohen me ndryshimet por maten me pritshmëmritë ndaj qeverisjes. Për fat të keq, në sport edhe ndryshimet janë minimale ndërsa pritshmëritë janë uluritëse. Njerëzit e sportit janë, në masë, të pakënaqur. Jo se nuk ka para por se këto para shkojnë për interesa personale të individëve që kanë abuzuar me besimin tuaj. Paratë shkojnë dëm ndërkohë që sporti është në kolaps. Kur them sporti them federatat shqiptare të sportit, që sot janë në krizë totale. Thjesht një fakt: marrin para sa gjysma e atyre që iu ke dhënë në 2000 kur ishe ministër i sportit!? Është e gjatë lista e fondeve të akorduara për sportin që nuk dihet ku shkojnë e përse shkojnë. Eshtë e gjatë lista e gjërave që duhen bërë e nuk bëhen. Nuk kam ndërmend t’i rreshtoj në këtë komunikim publik. Duke menduar e shpresuar që do ta lexoni këtë letër, nuk dua të zgjatem shumë e t’ju harxhoj kohën tuaj. Po e mbyll duke ju thënë që, nëse ka një fushë ku reflektimi juaj duhet të jetë i plotë, drastik dhe gjithëpërfshirës, ai është sporti. Natyrisht nuk është më i rëndësishmi për ju, por ju siguroj që është i rëndësishëm për shumë sportistë, trajnerë, drejtues, prindër. Rreth 50,000 te tillë, së bashku!! Dëmet që janë bërë në sport janë të mëdha dhe nuk e di a do të mund të riparohen edhe nëse filloni e merreni seriozisht me të. Kam dyshimet e mija që kjo do të ndodhë, nëse do të vazhdoni ti referoheni akoma atyre individëve që e përdorin miqësinë tuaj për të bërë rrëmujë sportin. Dhe që mburren poshtë e lart se “sa të kenë atë të gjatin, nuk e rr..ajnë për njeri”. Sidoqoftë shpresoj që pas kësaj letre ta kem ndërgjegjen e qetë. Të paktën, siç thoshin latinët: “Dix et salvavi animam mean”, e thashë dhe shpëtova shpirtin tim!
PANORAMASPORT.AL













