Vllaznisë i iku “truri”, Martini kërkon fantazinë! Mungojnë idetë dhe pasimet që bëjnë diferencën në mesfushë
Vllaznia e sezonit 2026-27 po shfaq një nga problemet më të dukshme të kësaj faze të parë të sezonit, mungesën e fantazisë në ndërtimin e lojës. Pavarësisht ndryshimeve të shumta në merkato dhe përpjekjeve të stafit teknik për të gjetur balancën e duhur, skuadra e drejtuar nga Edi Martini nuk ka arritur ende të krijojë atë identitet ofensiv që e karakterizoi gjatë sezonit të kaluar.

Një nga arsyet kryesore lidhet me largimin e mesfushorëve që ishin “truri” i lojës së kuqebluve, Ardit Krymi, Sherif Kallaku dhe Esat Mala. Të tre ishin lojtarë që merrnin përsipër organizimin e aksioneve, ritmin e ndeshjes dhe pasimin vendimtar në metrat e fundit. Pikërisht këto cilësi mungojnë aktualisht te Vllaznia, e cila shpesh e ka të vështirë të kalojë nga faza mbrojtëse në atë sulmuese me qartësi dhe kreativitet.
Ajo që bie në sy është fakti se largimet e tyre ende nuk janë zëvendësuar siç duhet. Mesfusha aktuale punon shumë në aspektin fizik dhe në fazën mbrojtëse, por i mungon lojtari që të krijojë diferencën me një ide, një pasim vertikal apo një zgjidhje të papritur. Si pasojë, sulmuesit shpesh mbeten të izoluar, ndërsa rastet e pastra për gol kanë qenë të pakta. Kjo është reflektuar qartë si në ndeshjet miqësore të verës, ashtu edhe në sfidat zyrtare të “Conference League”.
Përtej rezultateve, loja e Vllaznisë ka lënë përshtypjen e një skuadre që prodhon pak në aspektin ofensiv dhe që e ka të vështirë të imponojë ritmin ndaj kundërshtarëve. Në shumë momente ka munguar pikërisht ai futbollist që merr përgjegjësinë për të ndezur aksionin dhe për të krijuar epërsi numerike me cilësinë e tij. Në fakt, fantazia ka qenë gjithmonë një nga tiparet që ka dalluar Vllazninë ndër vite. Skuadra kuqeblu ka pasur tradicionalisht futbollistë me teknikë, vizion dhe aftësi krijuese, elementë që kanë qenë pjesë e identitetit të klubit.
Pikërisht për këtë arsye, mungesa e tyre ndihet edhe më shumë në ekipin aktual, i cili shpesh duket i parashikueshëm në mënyrën se si ndërton sulmet. Merkatoja mbetet ende e hapur dhe drejtuesit kuqeblu kanë mundësinë të ndërhyjnë për të plotësuar këtë boshllëk. Vllaznia ka nevojë për një organizator të mirëfilltë, një futbollist që t’i japë ritëm, ide dhe fantazi lojës së ekipit. Në të kundërt, skuadra e Martinit rrezikon të vazhdojë të vuajë të njëjtin problem edhe në javët e para të kampionatit, duke e pasur të vështirë të shfaqë futbollin cilësor që tifozët shkodranë presin prej saj.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













