Rumuni Bratu largon 3 lojtarë nga Partizani, vijnë kërkesat e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2026 | 16:47

Rumuni Bratu largon 3 lojtarë nga Partizani, vijnë kërkesat e para

Partizani ka nisur të marrë formë edhe sa i përket spastrimit të organikës për sezonin e ri. Teksa skuadra vijon fazën përgatitore në Pogradec nën drejtimin e Florin Bratut, tre futbollistë nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit dhe të klubit.

Bratu

“Panorama Sport” mëson se bëhet fjalë për Adnard Mehmetin, Gjergji Koten dhe Besar Gudjufin, të cilët janë lënë jashtë grupit në fazën përgatitore, një sinjal i qartë se e ardhmja e tyre do të jetë larg të kuqve. Megjithatë, situata e secilit prej tyre është e ndryshme. Për Mehmetin nuk parashikohet një largim përfundimtar, por një huazim te Vllaznia, në të njëjtën formulë që Partizani ndoqi edhe me Rrok Tomën gjatë angazhimeve në Europë.

Edhe për Gjergji Koten po shqyrtohet opsioni i huazimit, me destinacion të mundshëm Superligën e Kosovës, në mënyrë që mesfushori të ketë më shumë minuta aktivizimi. Ndërkohë, më e ndërlikuar paraqitet situata e Besar Gudjufit. Sulmuesi i krahut nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e klubit që investoi tek ai në janar të vitit 2025, kur u afrua si një alternativë për repartin ofensiv.

Për këtë arsye, palët po shkojnë drejt zgjidhjes së kontratës. 22-vjeçari ka nisur gjithashtu bisedimet me Drenicën, ekip i Superligës së Kosovës. Ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare, por kontaktet mes palëve vijojnë dhe pritet të ketë zhvillime në ditët në vijim.

Vendimi i Bratut konfirmon edhe qëndrimin e stafit të mëparshëm teknik, pasi edhe ish-trajneri Oltijon Kërnaja nuk i konsideronte Mehmetin, Koten dhe Gudjufin pjesë të planeve të tij. Tashmë mbetet vetëm të zyrtarizohen destinacionet e reja të tre futbollistëve, me dy mesfushorët që pritet të largohen në formë huazimi dhe Gudjufin që duket pranë mbylljes së aventurës së tij me fanellën e Partizanit.

PANORAMASPORT.AL