“Hirushja” e Superiores? Klubi i elitës me mesazhin e veçantë pas fitores
Vora ka qenë surpriza e madhe e Superiores në këtë fillim sezoni. Dhe pse është shpejt ndoshta për të folur për një “Hirushe”, vorakët kanë lënë mbrapa me pikë klube me histori si Partizani, Dinamo, Flamurtari dhe Tirana.

Dhe jo të gjithë klubet e elitës kujtohen për të falenderuar tifozët që i mbështesin, ndërsa Vora është kujdesur me një mesazh për ta. Duke i quajtur motiv, Vora u jep tifozëve meritat e duhura. Fitorja me Flamurtarin në Laç ka shtuar optimizmin para transfertës së Vllaznisë.
Postimi i Vorës:
“Faleminderit nga zemra! Ekipi ynë nuk do të ishte ky që është pa ju.
Çdo hap në fushë, çdo duel, çdo fitore dhe çdo sakrificë, ka marrë forcë nga zëri juaj.
Ju keni qenë pranë nesh në çdo moment në shtëpi, ku stadiumi dridhej nga emocionet, dhe në transferta, ku largësia nuk ju ndali kurrë.
Ju e keni bërë çdo qytet, çdo fushë kundërshtari, të ndjehet sikur ishte e jona. Ky ekip, kjo histori, nuk është vetëm e lojtarëve është e juaja!
Ju jeni motivi ynë, arsyeja pse luftojmë deri në minutën e fundit, pse nuk dorëzohemi kurrë. Së bashku kemi treguar se forca e një skuadre nuk matet vetëm nga ata që zbresin në fushë, por nga ata që e ndjekin dhe e mbështesin pa u lodhur. Kudo që shkojmë, ju jeni gjithmonë aty. Dhe ne do të luftojmë gjithmonë për ju”.
PANORAMASPORT.AL













