Gvozdenoviç: Nuk hyjmë në fushë për barazim, “luftë” me Teutën për tri pikët
Skuadra e Elbasanit u ka dhënë fund përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të ketë me Teutën ditën e nesërme.
Një përballje që në kampin verdheblu cilësohet si tepër e rëndësishme, duke qenë se ka si synim arritjen në “Final 4”. Në daljen e tij para mediave, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ndalet më konkretisht te gjendja e skuadrës para kësaj sfide, ku sigurisht nuk mungojnë problemet me dëmtimet, por tekniku është optimist për të dalë me një rezultat pozitiv.
“E kam thënë që në fillim kur erdha tek Elbasani, se ne gjithmonë mendojmë për të fituar. Do bëjmë maksimumin për pikët, të luajmë mirë. Pas ndeshjes mund të flasim më shumë pastaj”, u shpreh fillimisht Ivan Gvozdenoviç.
OBJEKTIVI – Sa u përket objektivave, për serbin e pankinës elbasanase kjo skuadër hyn në fushë vetëm për të fituar. Për këtë arsye, ndaj Teutës do të shpresojnë të arrijnë maksimumin, edhe pse e ka të qartë që nuk do të jetë një përballje e lehtë, sepse edhe kundërshtari kërkon pikë për mbijetesën.
“Nuk hyjmë në fushë për barazim. Por, gjithnjë duhet të shohim sesi shkon ndeshja, sepse është e gjitha e hapur. Ne do luftojmë për maksimumin, pastaj se çfarë do të marrim do të shohim”, vijoi më tej kreu i pankinës elbasanase.
MUNGESAT – Siç dihet, verdheblutë kanë pasur shumë mungesa për arsye dëmtimesh këtë fazë të kampionatit, duke bërë të rëndohen jo pak. Megjithatë, tekniku nuk kërkon të bëjë alibi, edhe pse kuptohet që në njëfarë mënyre ato kanë ndikimin e vet në rezultat.
“Kemi pesë mungesa, por nuk dua të flas shumë, sepse kam lojtarë të mirë për momentin. Jemi gati, edhe pse ndoshta është një minus i vogël. Do shohim dhe provojmë për të gjetur një skuadër optimale për këtë ndeshje”, mbylli prononcimin e tij për mediat trajneri i skuadrës së Elbasanit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













