Golashënuesi më i mirë i Vorës, Kasalla: Luftojmë për fitore, e rëndësishme të mos humbim
Pas përfundimit të ndeshjeve për javën e 32-të të Superiores, skuadra e Vorës tashmë ka kapur vendin e parafundit duke mos pasur vlerë as pika e marrë ndaj Vllaznisë kryesuese.
Megjithatë ajo është në pikë të barabarta me dy rivalet, Tiranën e Bylisin e deri në verdiktin e fundit Vorës i kanë mbetur dhe 4 finale për mbijetesën. Egnatia është në radhë e më pas Elbasani, Dinamo e Bylis do të jenë 4 ndeshjet e fundit, që kjo skuadër të përballojë me sukses qëndrimin në elitë. Edhe pse janë vështirësuar gjërat për Vorën, shpresohet akoma në mbijetesën e tyre.
E për këtë vorakët, duke mos qenë të shpërqendruar në rezultatet e ekipeve rivale po shikojnë drejtimin e tyre, duke u përgatitur maksimalisht për ndeshjen e radhës kundër kampionëve të Shqipërisë, asaj të Egnatias, në transfertën e Rrogozhinës në ora 19:00 të ditës së diel.
Lidhur me takimin kundër kampionëve, për “Panorama Sport” do të shprehet, Irgi Kasalla ai që me golin e tij, u mori të vetmen pikë gjatë këtij sezoni, skuadrës së Egnatias, duke barazuar tre minuta para fundit të takimit të luajtur në Vorë gjatë fazës së tretë. Ndërkohë që Vora ka humbur dy takimet e fazës së parë e të dytë 0-2 dhe 0-1.
“Edhe pse jemi nën presion nga rivaliteti mbijetesës, ne do të rezistojmë deri në fund për të realizuar objektivin tonë madhor, atë të qëndrimit në kategorinë superiore. Kemi zhvilluar një ndeshje të bukur kundër Vllaznisë dhe arritëm të merrnim një pikë të artë. Këtë gjë do të tentojmë ta bëjmë edhe në këtë përballje kundër një tjetër skuadre të fortë dhe nga më të mirat e kampionatit, siç është Egnatia. E rëndësishme për ne gjatë kësaj përballje mbetet mos humbja e kësaj ndeshje. Jemi në limitet e fundit të mbijetesës dhe na duhen më shumë se gjithçka pikët. Sigurisht që kemi përballë një ekip shumë të fortë dhe vështirësitë dihen, por mendoj se diferencat në fushë nuk do të jenë të tilla si në renditje. Ne jemi të plotë në formacion të kësaj jave dhe se përqendrimi ynë do të jetë maksimal. Hyjmë në fushë vetëm për fitore, por e theksova edhe më parë që edhe një pikë na ndihmon shumë në luftën tonë finale për mbijetesën”, ka deklaruar golashënuesi më i mirë për skuadrën e Vorës me 8 gola.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













