Gjendja e Dinamos/ “Nëndetëses” i rikthehet njeriu gol, shqetëson mbrojtja
Dinamo do të përballet të shtunën me Tiranën, ku do të luajë derbin e parë të kryeqytetit për këtë sezon. “Nëndetësja” do të jetë si udhëtuese në këtë sfidë, pavarësisht se me Tiranën do të ndajnë stadiumin “Selman Stërmasi” këtë sezon.
Mungesat dhe rikthimet nuk i ndahen trajnerit Ilir Daja, i cili në takimin ndaj Tiranës, me shumë gjasa nuk do të ketë shërbimet e mbrojtësit Bekim Maliqi. Ky i fundit, u largua i dëmtuar në takimin e fundit duke detyruar Dajën që të bënte edhe një ndërrim, pasi Farruku ishte projektuar të hynte megjithatë, dëmtimi i Maliqit bëri që të aktivizohej Meksi.
Ditën e sotme, pritet që të shihet më mirë gjendja fizike e Maliqit, pasi dyshimet e para janë për një tërheqje dhe nëse diçka e tillë provohet në eko, atëherë lojtari rrezikon një pushim pak më të gjatë. Ndërkohë, lajmi i mirë nga infermieria lidhet me Saliu Guindon i cili pritet që të jetë i gatshëm ndaj Tiranës. sulmuesi i afruar në këtë verë te Dinamo, ka munguar për disa javë për shkak dëmtimi dhe këtë javë pritet që të nisë stërvitjen normalisht me grupit, por është e qartë se gjendja e tij fizike nuk është më e mira e mundshme.
Guindos do t’i duhen disa seanca stërvitore për të arritur ritmin e grupit, e padyshim një rikthim i tij do të ishte një frymëmarrje për Dajën, pasi do të ketë në dispozicion një lojtar që e njeh mjaft mirë portën dhe në vazhdim, mund të sigurojë golat.
Sakaq, një tjetër rikthim me peshë është ai i Nanit. Sulmuesi portugez u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Teutës dhe në javën e fundit kundër Bylisit, e ndoqi takimin nga tribuna, ku ishte së bashku me Guindon e dëmtuar.
PANORAMASPORT.AL













