“Flamurtari qëndon në elitë”, ish-kapiteni Sakaj: Kam pasur simpati për Morieron si trajner, por rezultatet nuk ishin në anën e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2026 | 22:37

“Flamurtari qëndon në elitë”, ish-kapiteni Sakaj: Kam pasur simpati për Morieron si trajner, por rezultatet nuk ishin në anën e tij

Artan Sakaj është i bindur se Flamurtari do të arrijë të qëndrojë në Superiore. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ishkapiteni vlonjat thekson se diferencat në këtë kampionat janë shumë të vogla, si mes Flamurtarit, ashtu edhe me skuadra si Vllaznia dhe Elbasani.

artan sakaj

Sakaj vlerëson se klubi ka vepruar në mënyrë korrekte duke vendosur në krye të skuadrës Andi Ribajn dhe Lejdi Liçajn. Për ish-trajnerin Moriero ai shprehet se kishte simpati, por italiani nuk arriti të ndërtonte një lojë që “lëshon xixa”.

Ish-kapiteni këshillon futbollistët të besojnë te forcat e tyre, ndërsa tregon se është gati për çdo aventurë si trajner në Superiore apo në Kategorinë e Parë. Më parë, Sakaj ka drejtuar Orikumin dhe aktualisht është në krye të skuadrës U17 të Dinamos.

Sakaj, sa janë mundësitë e Flamurtarit për të qëndruar në Superiore?

Mundësitë për të qëndruar në Superiore ekzistojnë. Ekipi ka rënë në një krizë rezultatesh dhe, bashkë me të, ka ardhur edhe kriza e besimit. Problemi më i madh është psikologjik dhe duhet punuar më shumë në këtë drejtim.

Sa ka ndikuar ndryshimi i trajnerit?

Kur ndryshimi i trajnerit ndodh në fund të kampionatit, zakonisht skuadrën e merr trajneri i dytë, sepse ai e njeh grupin dhe vazhdon punën e nisur. Unë besoj se klubi ka bërë zgjedhjen e duhur.

Mendoni se largimi i Morieros ishte i vonuar?

Të them të drejtën, kam pasur simpati për Morieron si trajner, por rezultatet nuk ishin në anën e tij.

Simpati për çfarë konkretisht?

Më pëlqente mënyra e lojës që kërkonte të aplikonte. Megjithatë, nuk ishte shumë agresiv në kërkimin e rezultatit. Ai duhej të fitonte më shumë ndeshje direkte. Nën drejtimin e tij, skuadra fitoi takime të vështira dhe humbi disa të lehta. I mungoi pak “ego vlonjate”, ajo frymë luftuese që e ka karakterizuar gjithmonë Flamurtarin. Ne duam një lojë që “lëshon xixa”.

artan sakaj flamurtari

Ka elementë cilësorë kjo skuadër dhe ku çalon?

Flamurtari ka lojtarë cilësorë, por ka shfaqur probleme në mbrojtje. Megjithatë, në disa ndeshje ka zhvilluar lojëra të mira, pavarësisht rezultateve.

Çfarë këshille do t’u jepnit futbollistëve?

Të besojnë më shumë te forcat e tyre. Kanë cilësinë për t’u përballur me çdo kundërshtar.

Çfarë nuk ka shkuar si duhet te Flamurtari?

Një pikë e dobët ka qenë ndërtimi i skuadrës. Nëse mendon për sezonin e ardhshëm, duhet të nisësh punën që në janar, në mënyrë që në verë të afrohesh vetëm 3-4 përforcime cilësore. Ndryshimet e shumta në organikë e bëjnë të vështirë ndërtimin e rezultateve.

Si e shikoni këtë kampionat?

Është një kampionat pa skuadra të dobëta. Në sezonet e tjera, disa ekipe e kishin mbyllur herët çështjen e rënies nga kategoria, ndërsa këtë vit lufta është shumë e fortë. Diferencat mes skuadrave të kreut dhe atyre të fundit janë të vogla. Flamurtari ka një grup cilësor dhe nuk i shkon të jetë në atë pozicion. Edhe ndaj Vllaznisë dhe Elbasanit, që janë në krye, nuk ka pasur diferenca të mëdha në fushë.

A duhet të punojnë më shumë klubet me akademitë?

Sigurisht. Edhe unë te Flamurtari pata mundësinë të kaloja herët në ekipin e parë dhe aty u rrita. Kjo duhet të jetë politika e çdo klubi që ka stabilitet financiar. Lojtarët e dalë nga akademitë janë më të rrallë sot. Një talent duhet afruar në ekipin e parë që në moshën 17-vjeçare dhe t’i jepet hapësira për t’u rritur.

Aktualisht drejtoni U-17 të Dinamos. Jeni gati për një skuadër në Superiore apo Kategorinë e Parë?

I kam përfunduar të gjitha licencat dhe jam gati. Kam drejtuar më parë ekipin e parë të Orikumit, pata një periudhë shkëputjeje dhe tani jam rikthyer. Jam i hapur për çdo ofertë dhe për një sfidë të re.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL