“Flamurtari nuk po jep shkëndijën që prisnim”, ish-trajneri Memushi: Çdo ndeshje duhet luajtur si finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2026 | 12:28

“Flamurtari nuk po jep shkëndijën që prisnim”, ish-trajneri Memushi: Çdo ndeshje duhet luajtur si finale

Eqerem Memushit më shumë se kushdo tjetër i dhimbset Flamurtari, për të cilin ai ka “dashuri pa kushte”. E cilëson të ndërlikuar situatën, por tashmë çdo ndeshje duhet të shikohet si finale. Për “, Panorama Sport”, ish trajneri vlonjat thotë se është koha të mendohet për të marrë pikët maksimale.

EQEREM-MEMUSHI

“Nga këto rezultate që kemi arritur të paktën këto katër javë të fazës së katërt, ku kemi marrë dy pikë dhe jemi ndeshur me skuadrat e fundit, që janë fatkeqësisht rivalët tanë, skuadra jonë e zemrës Flamurtari nuk na e ka dhënë shkëndijën që të në gazojë dhe duket se po themi të njëjtat fjalë gjithmonë sa herë flasim në media. Skuadra tani është shkëputur dhe me një distancë pikësh që e bën edhe më të vështirë. Unë dua që ndonjë kritikë që ne bëjmë ata ta marrin në konsideratë.

E kam fjalën për stafi teknik, pasi unë dhe kolegët e mi kemi gjithë vitin që po themi që skuadra duhet të luajë me katër se kap gjerësinë dhe me katër mesfushorë. Unë jam dhe për katër. Në momentin që skuadra është në një situatë që do pikët, ti do mendosh pikën vëlla se e ke të artë, nuk do mendosh më mundjen. Do bësh atë gjë, pasi “mur-mur bëhet gur”, shprehet fillimisht Memushi.

PËR RIBAJ-LIÇAJ – Eqerem Memushi ka edhe një këshillë për dy trajnerët Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj që po drejtojnë Flamurtarin aktualisht që të marrin më shumë përgjegjësi pasi e morën drejtimin e Flamurtarit për të mos e çuar skuadrën në fund. “Unë ata djem i kam pasur futbollistë dhe kam bashkëpunuar. Kanë edhe ata përgjegjësinë e tyre përderisa kanë pranuar këtë post. Ne për çfarë i hoqëm ata dy trajnerët e tjerë se nuk na sollën pikët. Ne e kishim Tiranën mbrapa, tani na ka parakaluar. Mos të më keqkuptojnë ata djem. Por për çfarë ndërrohet trajneri? Ai ndërrohet për të “ndezur”. Ngroh kandelat, ngroh motorin, ndiz skuadrën. Merr çelësin ndize tani dhe jepi një drejtim tjetër”, thotë ish-trajneri.

PRODHIMI VLONJAT – Eqrem Memushi flet edhe për mënyrën se si duhet punuar me rritjen e numrit të talenteve vlonajte, teksa sjellë shembullin se si vite më parë përzgjidheshin lojtarët. “Unë e kam kaluar sportin në një situatë shumë të vështirë kur rrinin tetë burra dhe seleksiononin. Atëherë fillonte sporti që 14 vjeç. Vinin tetë burra aty dhe luanin ata dhe çfarë bënin, nxirrnin lojtarë për spartakiadë pionerësh dhe seleksiononin.

Por këta 14-vjeçarë, vitin tjetër rriteshin dhe u bënë “demat” e Vlorës. Por ata që u bën kanë kaluar në filtër. Por për të ndërruar një Flamurtar që t’i do, duhet të shkojmë që në klasë të parë të marrim ata 6-vjeçarët dhe do 10 vjet ti që të shkosh tek ai Flamurtar. Nuk të rrit kokrra, por të rrit skuadra, pasi kokrra nuk rritet vetëm. Unë e kam drejtuar vetë Flamurtarin kur fituam Kupën e Shqipërisë. Ne tre të huaj kishim dhe bëhej nami këtu dhe i kishim vlonjatë të gjithë. Latua, Driza, Xhafa, Fakaj rritën Halilin, Gugën. Ndërsa Guga rriti Zeqirin. Zeqiri do rriste të tjerë dhe kështu me radhë”, deklaron ish-trajneri.

EGNATIA DHE VAZHDIMËSIA – Ish-trajneri Eqerem Memushi thekson se Flamurtari ka treguar se fiton me të fortët dhe këtë gjë e uron edhe në takimin me Egnatian. Ai i lutet edhe Zotit që të ndihmojë kuqezinjtë deri në fund. “Unë i uroj suksese Flamurtarit në ndeshjen me Egnatian. Do të na gëzonin shumë nëse do të fitonin. Ata kanë treguar se dinë të bëjnë mirë me skuadrat e forta. E duan Flamurtarin në Superiore. I lutemi dhe Zotit të na ndihmojë në këto ndeshje të mbetura”, përfundon Memushi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL