Finale e parakohshme, dueli Elbasani-Vllaznia është “provë zjarri” për kreun
Elbasani duket se e ka lënë pas barazimin me vuajtje ndaj Teutës këtë mesjavë, teksa tani është plotësisht i përqendruar te përballja e së hënës kundër Vllaznisë.
Një ndeshje që vlen më shumë sesa tri pikë, sepse përballë do të kenë ndjekësen më të afërt në renditje dhe skuadrën që u ka shkaktuar humbjen e parë këtë sezon. Për këtë duel, Ivan Gvozdenoviç nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Sigitas Olberkis për shkak të kartonëve, teksa pritet që ai të zëvendësohet nga Emir Azemoviç në prapavijë. Stafi teknik po punon për të ruajtur ekuilibrat mbrojtës, duke ditur rëndësinë maksimale të këtij takimi.
KREU – Synimi i Elbasanit është që të ruajë kreun me çdo kusht. Për herë të parë këtë sezon, verdheblutë janë të vetëm në krye të renditjes dhe nuk e ndajnë atë me asnjë skuadër tjetër. Tani që arritën deri në këtë pikë, nuk duan ta lëshojnë më. Mirëpo, për ta mbajtur vendin e parë duhet të kalojnë pengesën e Vllaznisë, të cilën do ta linin katër pikë pas nëse do të merrnin tri pikët. Një sukses ndaj shkodranëve do të ishte një sinjal i fortë për të gjithë rivalët në garën për titull. Një fitore do t’i jepte Elbasanit edhe një avantazh psikologjik shumë të rëndësishëm për vazhdimësinë e kampionatit.
SHQETËSIMI – Vërtet verdheblutë janë të vetëm në krye, por në tre ndeshjet e fundit nuk mund të thuhet se kanë bërë mirë. Ata thjesht nuk janë mundur, ashtu siç kanë bërë rivalët e tyre, ndaj gjenden në krye. Elbasanasit vijnë pas tri barazimeve radhazi me Dinamon, Partizanin dhe së fundmi Teutën. Mungesa e fitores tregon se, pavarësisht vendit të parë, ka ende nevojë për një kthesë në rezultate. Duket se pozita në krye i zbut disi të gjitha ngërçet që mund të ketë një skuadër, por në Elbasan e kanë të qartë se në ndeshjet e fundit kanë pasur vështirësi serioze me golin. Në dy ndeshjet e fundit nuk kanë shënuar asnjë gol, një statistikë që shqetëson jo pak stafin teknik dhe tifozët. Sulmi ka nevojë urgjente të gjejë ritmin për të mos e vënë ekipin nën presion.
GARANCIA – Megjithatë, verdheblutë kanë një garanci këtë sezon, ose të paktën në pesë ndeshjet e fundit. Ajo garanci vjen nga prapavija, pasi kanë pësuar vetëm një gol në 450 minuta lojë. Me këtë mentalitet pritet që Gvozdenoviç ta hedhë në fushë skuadrën edhe ndaj Vllaznisë, me synimin fillestar për të mos pësuar gol dhe më pas për të menduar për shënimin e golit të fitores. Mbrojtja është arma më e fortë e Elbasanit në këtë moment. Nëse ruhet ky stabilitet edhe përballë shkodranëve, atëherë verdheblutë do të kenë shanse reale për të dalë nga kjo ndeshje me rezultat pozitiv.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













