Festa e autogolit, Partizani i Milinkoviç tregoi se vlerëson çdo moment
Ishte një autogol ndaj Vorës, që Partizanit i dha 3 pikë. Dhe të kuqtë e festuan me entuziazëm të madh te “Arena e Demave”. Gudjufi që fitoi faullin dhe devijoi topin apo Buxhelaj i cili ekzekutoi goditjen e dënimit, kanë meritat e tyre.

Topi që kaloi vijën fatale pa disa lojtarë të Partizanit, festuan sikur të ishin autorë të golit. Ky është pikërisht shpirti luftarak që duhet të tregojë skuadra e kuqe, nën drejtimin e Mladen Milinkoviç. Një sinjal nga ekipi, që po vlerëson çdo moment. Dhe pesha e autogolit rezultoi më e rënda e ndeshjes. Rëndësia që skuadra i kishte kushtuar ndeshjes me Vorën u vërejt edhe pas vërshëllimës së fundit. Kur gjyqtarja Emanuela Rusta mbylli takimin, Partizani i Milinkoviç u çlirua.
Futbollistët përgëzonin njëri-tjetrin dhe po ashtu fituan duartrokitje nga tifozët. Milinkoviç i mori më të mirën grupit në ndeshjen e parë. Mungesat ishin të shumta dhe jo me pak peshë. Në formacionin nga minuta e parë ishin disa ndërhyrje të trajnerit. Megjithatë, shija e 3 pikëve ka mbetur dhe jep besim për të ardhmen. Sfida e radhës do të jetë përballë Teutës, më 30 gusht ora 20:00. Të kuqtë do të luajnë sërish në fushën e tyre, pikërisht “Arena e Demave”, dhe vetëm 3 pikët mund të quhen sukses.
PANORAMASPORT.AL













