Fernando si lider, Albanese dhe Aleksi kompletojnë podiumin e Egnatias. Shifrat zbulojnë formulën e suksesit të kampionëve
Tri tituj kampionë radhazi nuk vijnë rastësisht. Përtej organizimit të klubit, cilësisë së organikës dhe punës së stafit teknik, Egnatia ka pasur një armë të fortë në sezonin e fundit: mesfushën.

Pikërisht aty ku janë fituar shumica e betejave, rrogozhinasit kanë gjetur stabilitetin dhe ekuilibrin që i çoi drejt një tjetër trofeu. Shifrat e platformës së specializuar “Sofascore” e konfirmojnë më së miri këtë fakt. Tre futbollistët me vlerësimin më të lartë në skuadër janë pikërisht mesfushorët Fernando Medeiros, Alessandro Albanese dhe Albano Aleksi, një tregues i qartë se zemra e Egnatias ka qenë në mesin e fushës.
FERNANDO SI LIDER – Me notën mesatare 7.35, Fernando Medeiros rezulton lojtari më i vlerësuar i Egnatias gjatë sezonit. Braziliani ka qenë pika e referimit në organizimin e lojës, duke kombinuar cilësinë teknike me punën e madhe në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese. Ai ka qenë një nga futbollistët më konstantë të skuadrës dhe shpeshherë ritmi i lojës së Egnatias ka kaluar nga këmbët e tij. Jo rastësisht, ai kryeson renditjen e vlerësimeve individuale.
ALBANESE & ALEKSI – Pas Fernandos renditen Alessandro Albanese me notën 7.14 dhe Albano Aleksi me 7.11, duke kompletuar një treshe që ka mbajtur mbi supe kampionatin e gjatë të rrogozhinasve. Albanese ka qenë një element shumë i rëndësishëm në tranzicionet e skuadrës dhe në ndërtimin e aksioneve, ndërsa Aleksi ka sjellë eksperiencë, qetësi dhe ekuilibër në repartin e mesfushës, duke qenë shpesh pika lidhëse mes mbrojtjes dhe sulmit. Fakti që tre lojtarët më të vlerësuar të skuadrës janë mesfushorë tregon qartë se forca e Egnatias ka nisur pikërisht nga qendra e fushës.
BOSHTI I SKUADRËS – Pikërisht rreth kësaj tresheje pritet të ndërtohet edhe boshti i Egnatias për sezonin e ri. Trajneri Nevil Dede synon të ruajë stabilitetin në repartin që ka prodhuar më shumë siguri gjatë sezonit të kaluar, duke e konsideruar mesfushën si pikën më të fortë të ekipit. Objektivi është që kjo bazë të mbetet e paprekur si për ndeshjet e kampionatit, ashtu edhe për sfidat e rëndësishme në kupat e Europës. Sigurisht, merkatoja mbetet e hapur dhe interesi për disa prej futbollistëve të Egnatias nuk mungon. Megjithatë, Fernando Medeiros, Alessandro Albanese dhe Albano Aleksi janë të gjithë nën kontratë me klubin dhe largimi i tyre mund të ndodhë vetëm në rast se mbërrijnë oferta që bindin drejtuesit rrogozhinas. Për momentin, gjithçka të çon te ideja se Nevil Dede do të ndërtojë Egnatian e sezonit të ri pikërisht mbi këtë treshe, e cila me paraqitjet dhe shifrat e saj ka treguar se ishte motori i suksesit të kampionëve të Shqipërisë. Nëse boshti do të mbetet i pandryshuar, atëherë rrogozhinasit do të kenë një bazë solide për të synuar një tjetër sezon të suksesshëm si në Superiore, ashtu edhe në arenën europiane.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













