Dy histori të ndryshme/ Kupa e Botës lë gjurmë te Saibari dhe Dejvis
Transferimi i ri Ismael Saibari u dëmtua në Kupën e Botës, ndërsa Alfonso Dejvis luajti vetëm 16 minuta. Cila është gjendja e dy yjeve të Bajernit dhe kur do t’i bashkohen përgatitjeve parasezonale? Për Ismael Saibarin, Kupa e Botës përfundoi me një tronditje dhe zhgënjim të madh. Mesfushori maroken u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 22 minutash në fitoren 3-0 ndaj Kanadasë dhe më pas mungoi edhe në humbjen 2-0 ndaj Francës në çerekfinale.

Deri në atë moment, 25 vjeçari kishte zhvilluar një turne të jashtëzakonshëm. Saibari shënoi gol në të tre ndeshjet e fazës së grupeve, ndërsa në përballjen e fazës eliminatore ndaj Holandës realizoi penalltinë e pestë dhe vendimtare në serinë e penalltive. Por sa serioz ishte dëmtimi i tij ndaj Kanadasë? Trajneri i Marokut, Mohamed Ouahbi, nuk dha shumë detaje dhe deklaroi para sfidës me Francën se shpresonte që lojtari të ishte gati nëse skuadra do të vazhdonte rrugëtimin në turne. Kjo nuk ndodhi dhe, nuk do të kishte qenë e mundur gjithsesi, pasi ekzaminimet e kryera në Mynih pas përfundimit të turneut zbuluan se Saibari kishte pësuar një çarje të fibrave muskulore në kofshë.
Transferimi i ri, i cili pritet të luaj si numër 10 ose në repartin ofensiv, do të vazhdoj rikuperimin në Mynih dhe pritet t’i bashkohet skuadrës pas turneut aziatik (1-8 gusht). I njëjti afat vlen edhe për Gnabrin, Lenart Karl dhe Jamal Musiala, të cilët po punojnë për rikthimin e tyre, si edhe për Alfonso Dejvis. 25 vjeçari e përjetoi ëndrrën e Kupës së Botës në vendin e tij kryesisht si spektator, pasi kishte pësuar një tjetër dëmtim muskulor.
Dejvis nuk luajti në asnjë nga tre ndeshjet e Kanadasë në fazën e grupeve, pasi Bajerni ishte jo vetëm në kontakt të vazhdueshëm me federatën kanadeze, duke dërguar edhe një fizioterapist, por kishte ndërhyrë fuqishëm edhe në lidhje me aktivizimin e mbrojtësit të majtë. Kanadaja do të kishte dashur ta aktivizonte Dejvisin, por ai ishte ende larg formës së tij optimale dhe rreziku për një dëmtim të ri konsiderohej shumë i madh. Ai luajti vetëm 16 minutat e fundit në fitoren 1-0 ndaj Afrikës së Jugut, ndërsa më pas qëndroi në stol në eliminimin ndaj Marokut. Tani, si ai ashtu edhe Bajerni shpresojnë që mbrojtësi të mbetet i shëndetshëm për një periudhë të gjatë. Me ardhjen e Nathaniel Braun, Dejvis do të përballet me konkurrencë për vendin e titullarit në krahun e majtë të mbrojtjes.
PANORAMASPORT.AL













