Fabjan Beqja e mbyll me Flamurtarin: Misioni i ngjitjes u përmbush
Fabjan Beqja nuk do të jetë më lojtar i Flamurtarit në Superiore. 31-vjeçari qëndroi për dy sezone në Vlorë dhe tani ka ardhur koha e shtrëngimit të duarve. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Beqja ndihet i lumtur për aventurën në Vlorë dhe për më tepër për ringritjen e skuadrës në elitë pas pesë vitesh. Ai thotë se Flamurtari po bën merkato konkurruese dhe se e shikon te katër vendet e para dhe në garë për titull. Normalisht që Beqja tashmë është lojtar i lirë dhe në pritje të ofertave.

Beqja, Flamurtari u ngjit në Superiore, mendon se është një mision i kryer dhe nga ty?
Flamurtari u ngjit aty ku kishte vendin. Nuk është diçka befasuese. Ishte një mision që duhej kryer për ta çuar Flamurtarin aty ku e ka vendin. Jam shumë i lumtur për këtë gjë. Patjetër që edhe unë kam kontributin tim në realizimin e këtij momenti që në Vlorë të gjithë po e prisnin. Është një gëzim i madh për klubin, tifozët, qytetin e Vlorës. Aty e duan shumë futbollin dhe patjetër që kanë bërë edhe historinë.
Flamurtari ka nisur përgatitjet, por ju nuk i jeni bashkuar. Mund të themi që jeni larguar?
Po unë e kam mbyllur me Flamurtarin. Nuk do të jem pjesë e skuadrës. Si u ndatë me klubin? Jemi ndarë në mënyrën më të mirë. Në Vlorë kam bërë shumë miq dhe ashtu jam ndarë si miku me mikun. Ishte kënaqësi për mua që dhashë kontributin tim për Flamurtarin dhe qytetin e Vlorës duke e rikthyer skuadrën pas pesë vitesh në elitë.
Flamurtari ka tashmë trajner spanjoll, Karlos Garsian. Ke dëgjuar për të?
Nuk kisha dëgjuar, por pashë dhe pyeta. Më kanë thënë që është trajner profesionist.
Mendon se ishte i duhuri për Flamurtarin e Superiores?
Për sa i përket a është i duhuri, kjo i mbetet kohës për t’u parë. Por unë mendoj se ai do të bëjë shumë mirë aty me çfarë më kanë treguar ish-shokët e ekipit atje.
Si po ju duket merkato që po bën klubi?
Mendoj që është një merkato konkurruese për një renditje në katërshen e parë.
Mendoni se do të jetë një ekip konkurrues edhe për trofe?
Patjetër që po dhe absolutisht konkurrues për një titull.
Personalisht ku do ta vijoni karrierën?
Unë jam një lojtar profesionist. Patjetër që po studioj ofertat që kam. Jam në bisedime. Do të vendos në momentin më të përshtatshëm.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













