EKSKLUZIVE/ Zabërgja: Koha për reflektim, Dinamos nuk i falen dy gabime radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2025 | 9:17

EKSKLUZIVE/ Zabërgja: Koha për reflektim, Dinamos nuk i falen dy gabime radhazi

Fitorja tenistike në Kupën e Shqipërisë ndaj Erzenit sikur e “zbuti” pak zhgënjimin nga humbja me Bylisin në kampin dinamovit, por të gjithë i mëshojnë faktit se duhet të kalojnë me sukses sfidën e kampionatit me Elbasanin. Kundër këtij kundërshtari blutë sikur karikohen, ndoshta ngaqë ia njohin mjaft mirë “muret” e shtëpisë.

ZABERGJAAA

Në dy ndeshjet e para kanë fituar 2- 1 dhe 0-5, megjithatë të dielën në mbrëmje pritet një tjetër përballje, me një Elbasan që e ka rritur lojën dhe vjen me moral më të lartë. Trajneri Ilir Daja e ka testuar ekipin në mesjavë ndaj Erzenit dhe e ka në mendjen mënyrën si do ta përballojë këtë ndeshje. Të tijtë iu përgjigjën me 6 gola, duke dhënë një sinjal se kundër Elbasanit mund të rikthehen në nivelin e javëve të fundit të 2024-ës.

ZABËRGJA – Ka shënuar 2 herë në sfidën e fundit me Elbasanin, Baton Zabërgja, një nga titullarët më të rëndësishëm të Dinamos. Shpreson të lërë shenjë edhe të dielën në ndeshjen që e konsideron shumë të rëndësishme, pasi sipas tij, Dinamo nuk mund të bëjë dy gabime radhazi në kampionat. Sulmuesi blu vlerëson kundërshtarin për momentin që po kalon, por ka besim të madh se skuadra e tij do të reflektojë.

“Vijmë nga ajo humbje e pamerituar në Ballsh, ku i kishim të gjitha mundësitë për të fituar, por dolëm pa pikë, sepse nuk shfrytëzuam rastet tona. Na ka ndihmuar pak ndeshja me Erzenin si për të rifituar ritmin që kishim para pushimeve, por edhe në planin moral. Gjendja e skuadrës është e mirë, kemi punuar fort gjatë javës dhe nuk kemi mungesa. Tani shpresojmë që ta tregojmë veten sërish në fushë në ndeshjen me Elbasanin. Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi ata vijnë nga dy fitore radhazi në kampionat dhe në kupë, kështu që janë në një moment shumë të mirë.

Por ne kemi objektivat tona, mendoj se është koha për reflektim pas humbjes që pësuam që në ndeshjen e parë të 2025-ës. Dinamos nuk i falet të bëjë dy gabime radhazi dhe besoj se do të reagojmë të dielën për t’u rikthyer në ritmin që kishim më përpara. Disa lojtarë kanë pasur kanë kaluar një gjendje gripale, por tashmë të gjithë jemi mirë dhe duhet të flasim në fushë, duke bërë lojën tonë dhe duke marrë ato që janë më të rëndësishme, pikët”, ka thënë Zabërgja për “Panorama Sport”.

FUSHA E FATIT – “Elbasan Arena” është një fushë që u sjell fat bluve, jo më kot kanë mundur dy herë edhe ekipin vendës, kundërshtarin e së dielës. Zabërgja shpreson shumë që historia me fushën të vazhdojë deri në fund të kampionatit. “Fusha e Elbasanit realisht na ka sjellë fat, kemi shënuar më shumë gola aty dhe kemi marrë fitore të rëndësishme. Ndoshta na përshtatet si skuadër më shumë se çdo fushë tjetër, shprehemi më mirë në atë terren. Shpresoj që të jetë e njëjta gjë edhe në pjesën e mbetur të sezonit.

Fusha është vërtet shumë e mirë, por e dimë që na pret një ndeshje shumë impenjative, ku ne duhet të jemi të vëmendshëm nga fillimi në fund për të arritur qëllimin tonë. Dinamo është gati që të fillojë përsëri një seri fitoresh, si para festave të fundvitit”, ka përfunduar sulmuesi i kryeqytetasve, Baton Zabërgja, autor i 9 golave deri tani në kampionat.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL