EKSKLUZIVE/ Shaba analizon gjendjen e kuqebluve: Vllaznia të shmangë surprizat në Europë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2025 | 21:14

EKSKLUZIVE/ Shaba analizon gjendjen e kuqebluve: Vllaznia të shmangë surprizat në Europë (E PLOTË)

Kujtim Shaba, ish-administratori i Vllaznisë ka folur së fundmi në një prononcim për “Panorama Sport”. Ish-drejtuesi kuqeblu është ndalur te përgatitjet e këtij fillim sezoni, merkato e shkodranëve apo edhe dueli i Conference League kundër Daugavpils.

shaba

Ndër të tjera, Shaba thekson se duhet të ketë edhe shumë besim ndaj elementit të ri dhe se afrimet duhet të jenë të studiuara dhe jo të sillen lojtarë thjesht për të plotësuar numrin.

Shaba, si i keni parë deri tani këto përgatitje verore?

Mendoj se ekipi po zhvillon një fazë të mirë dhe që do i shërbejë shumë për vijimin e sezonit. E rëndësishme është që procesi stërvitor të jetë sa më serioz në këtë periudhë ku merret shumë nga përgatitja fizike për të përballuar sezonin, pavarësisht se skuadra mund të zhvillojë edhe ndonjë minifazë përgatitore para nisjes së kampionatit. Por, duhet të merren masat që tani për të qenë në formën sa më optimale fizike dhe po ashtu një vëmendje t’i kushtohet aspektit shëndetësor të futbollistëve, ku duhen shmangur absolutisht dëmtimet apo mbingarkesat fizike.

Sa po u përgjigjet skuadra në këto miqësore të para ideve të Martinit?

Skuadra po ndryshon nga një stil që kishte më parë me Brdariç tashmë me idetë e trajnerit Martini. Kjo, pasi të dy këta trajnerë kanë stile të ndryshme loje dhe futbollistët e Vllaznisë tashmë duhet të përshtaten me idetë e trajnerit. Shenjat e para ndoshta janë dhënë disi, pasi ekipi po mundohet ta interpretojë siç duhet skemën 3-5- 2 që po mundohet të implementojë Martini. Megjithatë, gjithçka do të shihet në ndeshjet zyrtare, ku përqendrimi dhe motivimi është në 100%, ndryshe nga miqësoret të cilat mund të “nënvlerësohen” apo futbollistët të cilët ruhen për të shmangur ndonjë dëmtim.

Merkato e kujdesshme deri tani, ku duhet të synojnë të përforcohen kuqeblutë?

Janë afruar në skuadër futbollistë me eksperiencë dhe që në mendimin tim e njohin mirë kampionatin shqiptar. Prandaj mendoj se lëvizjet deri tani në hyrje kanë qenë të kujdesshme dhe unë jam pro kësaj “politike”, nëse mund ta quaj të tillë. Kjo pasi nuk kam qenë asnjëherë dakord të afrohen futbollistë pa kriter dhe që nuk sjellin ndonjë diferencë në skuadër. Shembujt janë edhe të sezoneve të shkuara e uroj që te Vllaznia të kenë marrë mësime nga kjo pjesë. Përsa u përket përforcimeve, skuadra duhet të synojë në çdo repart për të krijuar një ekip pretendent. Pastaj aty ka futbollistë që me pak besim mund të jenë me të vërtetë surpriza pozitive dhe që mund të bëjnë diferencën, duke mos pasur nevojë të ketë edhe aq shumë afrime.

Pra, të ketë një besim më shumë ndaj elementit të ri?

Absolutisht që po, Vllaznia i ka dhe i ka pasur gjithmonë elementët cilësorë dhe që janë gati për ekipin e parë. E ka treguar edhe eksperienca e viteve të shkuara, pavarësisht se edhe sezonet e fundit në ekip u është dhënë mundësia djemve të rinj, si: Alivoda, Dodaj apo Jukaj. Por, ju garantoj që ka akoma edhe shumë e shumë lojtarë të tjerë po kaq cilësor. Thjesht duhet të kenë besimin dhe menaxhimin e duhur nga ana e klubit. Janë futbollistë me pak kosto për klubin e që mund të sjellin edhe shumë përfitime financiare në të ardhmen. Mund të fitosh në aspektin sportiv, por edhe atë ekonomik në fund të ditës.

Në Conference League përballë do të jetë Daugavpils, si e mendoni dhe parashikoni?

Një përballje në opinionin tim më se e kalueshme për Vllazninë, por që asnjëherë për të mos u nënvlerësuar, pasi edhe në sezonet e shkuara, ekipi është mposhtur nga skuadra modeste dhe jo pretendente në letër. Prandaj them se duhet përqendrim maksimal në çdo moment dhe ekipi duhet ta ketë objektiv kalimin e këtij turi. Kjo edhe për përfitimet financiare që sjell kalimi i këtij raundi për klubin. Kundërshtari është i panjohur, por në futboll ka surpriza shpesh dhe Vllaznia duhet t’i shmangë këto gjëra.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL