EKSKLUZIVE/ Ofertë nga Azerbajxhani, titullari i padiskutueshëm i Skënderbeut largohet nga Korça
Skënderbeu mund të humbasë ndonjë pjesë të skuadrës pas zbritjes nga Superiorja në Kategorinë e Parë.
Klubi korçar është shquar për promovim dhe shitje lojtarësh, ku i fundit që doli në treg ishte Ermir Rashica, i cili u shit në Ukrainë te Metalist 1925 për 800 mijë euro. “Panorama Sport” ka mësuar se ka interes edhe për lojtarë të tjerë të Skënderbeut, të cilët mund të ndryshojnë ambient gjatë merkatos së verës. Për momentin, emri më i lakuar është ai i portierit Marko Alia, i cili në dy sezonet e fundit nga qenë një nga “shtyllat” e bardhekuqve.
“Panorama Sport” ka mësuar se për portierin 25-vjeçar ka interesim nga Azerbajxhani. Me këtë lëvizje po merret menaxheri Serxhio Mezi, i cili është i interesuar që ta transferojë Aliajn jashtë vendit. Kështu, kanë nisur edhe kontakt me palën azere për një kalim të mundshëm gjatë merkatos së verës. Gazeta ka arritur të mësojë edhe emrin e skuadrës që do shërbimet e “gardianit” të Skënderbeut, si dhe kushtet financiare që i ofrohen për këtë eksperiencë të re. Turan Tovuz është skuadra që ka shfaqur interes për portierin Alia, duke i ofruar minimumi një kontratë dyvjeçare, ku në sezonin e parë 25-vjeçari pritet të përfitojë rreth 80 mijë euro, për të vijuar në 100 mijë euro në edicion e dytë.
Portieri Alia ka qenë titullar i padiskutueshëm në dy sezonet e fundit te Skënderbeu, ku në kampionatin e fundit ai luajti 26 nga 36 ndeshjet e mundshme në kampionat, me 3150 minuta në fushën e lojës. Mbetet për të parë se çfarë drejtimi do të marrë ky interesim për portierin Alia, si dhe çfarë përfiton Skënderbeu. Që pas humbjes në javën e fundit të sezonit të shkuar, ku në shtëpi u mundën 2-1 nga Bylisi, Skënderbeu ndodhet në qetësi absolute. Deri më tani janë përfolur 3 “divorce” te klubi korçar, ku të larguarit e parë janë Zhoao Felipe, Liridon Balaj, si dhe Mamane Amadou Sabo.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL













