EKSKLUZIVE/ Nisin ndryshimet te Tirana, largohet titullari që ndryshoi fatin e derbit me Partizanin
Tirana po vijon përgatitjet edhe pas përfundimit të kampionatit, me skuadrën bardheblu që do të vazhdojë stërvitjen deri në fund të muajit maj. Nën drejtimin e stafit teknik, futbollistët po punojnë normalisht në kompleksin stërvitor, ndërsa klubi ka nisur paralelisht edhe lëvizjet e para në merkato, ku priten ndryshime të shumta në përbërjen e ekipit për sezonin e ardhshëm.

Një nga mungesat në grup mbetet Redon Xhixha. Sulmuesi vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të dëmtimit dhe nuk është bashkuar ende me skuadrën në stërvitje. Gjendja e tij po ndiqet nga stafi mjekësor, ndërsa rikthimi do të varet nga koha e rikuperimit.
Ndërkohë, mbrojtësi Kresic, i cili ishte pjesë e Tiranës në formë huazimi, është larguar nga skuadra pas përfundimit të marrëveshjes me klubin e tij. Futbollisti nuk do të jetë pjesë e bardhebluve në vazhdim dhe ka mbyllur eksperiencën e tij në kryeqytet.
Largime të tjera priten edhe në ditët në vijim. Sipas asaj që mësohet, edhe Halili është drejt ndarjes me Tiranën, ndërsa të njëjtën rrugë pritet të ndjekë edhe mesfushori Kobiljar. Klubi duket i vendosur për të bërë ndryshime në organikë, teksa pas një sezoni të vështirë synimi është ndërtimi i një skuadre më konkurruese për edicionin e ardhshëm.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













