EKSKLUZIVE/ Merkato e bllokuar, Idrizi shpërthen ndaj Agostinelit: Mori 10 mijë euro premio dhe hapi gjyq në UEFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2026 | 11:25

EKSKLUZIVE/ Merkato e bllokuar, Idrizi shpërthen ndaj Agostinelit: Mori 10 mijë euro premio dhe hapi gjyq në UEFA

Merkaton e Flamurtarit e ka bllokuar trajneri Andrea Agostineli. Gjatë një prononcimi ekskluziv për “Panorama Sport”, presidenti Sinan Idrizi konfirmon gjithçka, duke sqaruar edhe pozicionin e klubit në raport me teknikun italian.

idrizi

Ish-trajneri ka shfrytëzuar një pikë të kontratës, sipas së cilës, nëse klubi ngjitej në Superiore, ai do të bëhej automatikisht trajner i Flamurtarit. Megjithatë, pavarësisht se pas ndeshjes me Pogradecin Agostineli u shkarkua, presidenti Idrizi në fund i akordoi një premio prej 10 mijë eurosh, ashtu si edhe lojtarëve. Faturën e pagesës së kësaj premioje, Idrizi thotë se e ka vënë në dispozicion edhe të gazetës. Sipas presidentit të Flamurtarit, trajneri italian e ka çuar klubin në gjyq duke shfrytëzuar pikërisht atë që ai e quan “dokument i mirësisë”.

“E ndihmova si njeri, ai e përdori kundër nesh”

“Mënyra se si e shikojnë Flamurtarin është çështje karakteri, qoftë nga trajnerët apo nga lojtarët. Dua t’ju tregoj një rast shumë interesant. Para dy vitesh më merr në telefon një mik shumë i dashur dhe më thotë: ‘Sinan, a mund të të sugjeroj një trajner?’. I them po dhe ai më përmend Agostinelin. Më tha se donte vetëm të punonte, se nuk ishte njeri që mendonte për para apo interesa të tjera, por një profesionist i ndershëm. Më tregoi se kishte edhe një problem familjar dhe se kërkonte vetëm të trajnonte. Pranova dhe e mora në Vlorë. Punoi, mirë apo keq, kjo është çështje tjetër. Dy ditë ishte në Vlorë, tre ditë në Itali. Unë bëja sikur nuk e shikoja. Jepte intervista vazhdimisht dhe çdo javë ishte në një televizion italian. Për shkak të problemit të tij familjar, mendova ta trajtoja më shumë me anën njerëzore sesa me atë institucionale. Ky është problemi im te Flamurtari. Shpesh vendos anën njerëzore mbi atë institucionale dhe të tjerët e keqkuptojnë. Shkonte e vinte dhe unë nuk i thosha asgjë. Pas ndeshjes me Pogradecin, kur vendosëm në rrezik gjithçka, mora vendimin ta largoja. I pagova të gjitha detyrimet financiare dhe, në fund, ashtu siç u dhamë lojtarëve një premio prej 10 mijë eurosh për ngjitjen në Superiore, e thirra edhe atë dhe ia dhashë të njëjtën premio. Ky ishte një gjest njerëzor. Por Agostineli e mori këtë dokument dhe shkoi në UEFA e në gjykatë, duke shfrytëzuar klauzolën që parashikonte se, në rast ngjitjeje në Kategorinë Superiore, ai do të ishte automatikisht trajner i Flamurtarit me një pagë prej 5 mijë eurosh në muaj. Ai argumentoi se, duke marrë premio, njihej si pjesë e ekipit që arriti objektivin dhe, për këtë arsye, pretendonte se kishte të drejtë në kërkesat e tij. Ne nuk kishim asnjë detyrim financiar ndaj tij. E përdori këtë si argument dhe ka arritur të bllokojë merkaton tonë”, u shpreh fillimisht Idrizi për “Panorama Sport”.

v

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL