EKSKLUZIVE/ Merkato e bllokuar, Idrizi shpërthen ndaj Agostinelit: Mori 10 mijë euro premio dhe hapi gjyq në UEFA ( E PLOTË)
Merkaton e Flamurtarit e ka bllokuar trajneri Andrea Agostineli. Gjatë një prononcimi ekskluziv për “Panorama Sport”, presidenti Sinan Idrizi konfirmon gjithçka, duke sqaruar edhe pozicionin e klubit në raport me teknikun italian.

Ish-trajneri ka shfrytëzuar një pikë të kontratës, sipas së cilës, nëse klubi ngjitej në Superiore, ai do të bëhej automatikisht trajner i Flamurtarit. Megjithatë, pavarësisht se pas ndeshjes me Pogradecin Agostineli u shkarkua, presidenti Idrizi në fund i akordoi një premio prej 10 mijë eurosh, ashtu si edhe lojtarëve. Faturën e pagesës së kësaj premioje, Idrizi thotë se e ka vënë në dispozicion edhe të gazetës. Sipas presidentit të Flamurtarit, trajneri italian e ka çuar klubin në gjyq duke shfrytëzuar pikërisht atë që ai e quan “dokument i mirësisë”.
“E ndihmova si njeri, ai e përdori kundër nesh”
“Mënyra se si e shikojnë Flamurtarin është çështje karakteri, qoftë nga trajnerët apo nga lojtarët. Dua t’ju tregoj një rast shumë interesant. Para dy vitesh më merr në telefon një mik shumë i dashur dhe më thotë: ‘Sinan, a mund të të sugjeroj një trajner?’. I them po dhe ai më përmend Agostinelin. Më tha se donte vetëm të punonte, se nuk ishte njeri që mendonte për para apo interesa të tjera, por një profesionist i ndershëm. Më tregoi se kishte edhe një problem familjar dhe se kërkonte vetëm të trajnonte. Pranova dhe e mora në Vlorë. Punoi, mirë apo keq, kjo është çështje tjetër. Dy ditë ishte në Vlorë, tre ditë në Itali. Unë bëja sikur nuk e shikoja.
Jepte intervista vazhdimisht dhe çdo javë ishte në një televizion italian. Për shkak të problemit të tij familjar, mendova ta trajtoja më shumë me anën njerëzore sesa me atë institucionale. Ky është problemi im te Flamurtari. Shpesh vendos anën njerëzore mbi atë institucionale dhe të tjerët e keqkuptojnë. Shkonte e vinte dhe unë nuk i thosha asgjë. Pas ndeshjes me Pogradecin, kur vendosëm në rrezik gjithçka, mora vendimin ta largoja. I pagova të gjitha detyrimet financiare dhe, në fund, ashtu siç u dhamë lojtarëve një premio prej 10 mijë eurosh për ngjitjen në Superiore, e thirra edhe atë dhe ia dhashë të njëjtën premio. Ky ishte një gjest njerëzor.
Por Agostineli e mori këtë dokument dhe shkoi në UEFA e në gjykatë, duke shfrytëzuar klauzolën që parashikonte se, në rast ngjitjeje në Kategorinë Superiore, ai do të ishte automatikisht trajner i Flamurtarit me një pagë prej 5 mijë eurosh në muaj. Ai argumentoi se, duke marrë premio, njihej si pjesë e ekipit që arriti objektivin dhe, për këtë arsye, pretendonte se kishte të drejtë në kërkesat e tij. Ne nuk kishim asnjë detyrim financiar ndaj tij. E përdori këtë si argument dhe ka arritur të bllokojë merkaton tonë”, u shpreh fillimisht Idrizi për “Panorama Sport”.
Pagesa e autorizuar
Presidenti i Flamurtarit konfirmon se ka autorizuar bankën e tij në Turqi për të kryer pagesën ndaj trajnerit italian, me qëllim që klubi të mos ketë më pengesa në merkato. “Pardje i kam dhënë autorizim bankës sime në Turqi që t’i bëjë pagesën këtij zotërie. I them: ‘I dashur miku im Agostineli, t’i gëzosh këto para!’. Mendoja se ishe një burrë i mirë, një njeri që kishte ardhur për shkak të një problemi familjar. Nuk ka asnjë problem. Në Vlorë themi: të bëfshin mirë dhe t’i gëzosh. Por ti erdhe për të trajnuar. Kjo është historia e bankomatit te Flamurtari. Merkatoja jonë është bllokuar për shkak të asaj premioje që i dhamë kur skuadra u ngjit në Superiore. Madje, në shtator më kërkoi që t’i gjeja një skuadër në Turqi. Më tha se kishte respekt për mua dhe për marrëdhëniet që kam atje. I kam të gjitha bisedat e printuara në ‘WhatsApp’. Kjo është çështje karakteri. Filloi si një njeri me probleme familjare që kërkonte të punonte. Hyni në ‘YouTube’ dhe shikoni. Të dielën përfundonte ndeshjen me Flamurtarin dhe të hënën ishte në një studio televizive në Itali duke komentuar Lacion. Unë nuk i thosha asgjë. Ka fituar para pa bërë asnjë ditë punë. Megjithatë, duhet ta pranoj se është shumë i zoti për çështjet juridike. Ndoshta në të ardhmen mund ta marrim edhe si ekspert juridik te Flamurtari, meqë kemi kaq shumë probleme me këto çështje”, deklaroi me ironi presidenti vlonjat.
Puna për skuadrën e re ka nisur
Në fund, Idrizi zbuloi se Flamurtari ka nisur punën për ndërtimin e skuadrës së re dhe është në negociata me trajnerin e ardhshëm. “Kemi nisur të mendojmë për skuadrën e re. Nuk dua të flas shumë, sepse shpeshherë e nisim me bujë dhe më pas gjërat marrin rrjedhë tjetër. Nuk është bestytni, por unë besoj te puna dhe sakrifica. Po, kemi filluar negociatat. Jemi në bisedime me një trajner shumë të mirë dhe me një staf interesant. Shpresojmë që shumë shpejt t’i japim formë projektit të ri të Flamurtarit”, përfundoi Idrizi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













