EKSKLUZIVE/ Kapiteni i Teutës, Kotobelli: Nuk kemi një “as”, por ne fitojmë si grup ndaj Egnatias
Në prag të ndeshjes në orën 17:00 kundër Egnatias, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli.

Mbrojtësi shprehet se Teuta pas fitores ndaj Tiranës, do të kërkojë tri pikët edhe në këtë ndeshje. Lojtari i bluve shprehet se në këto momente nuk duhet parë fare renditja, por t’i marrin ndeshjet një nga një dhe llogaritë të bëhen në javën e fundit.
Pas asaj fitore ndaj Tiranës, si e ndieni veten tashmë?
Normalisht që fitorja ndaj Tiranës, si fillim na shërbeu shumë nga ana psikologjike, për më tepër që zhvilluam një ndeshje të mirë. Për fat të mirë arritëm të fitonim, por do të shohim përpara, sepse kemi një kalendar të ngjeshur. Kjo na beri që ta përgatisnim ndeshjen ndaj Egnatias me të qetë dhe shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm.
Si e keni përgatitur duelin ndaj Egnatias?
Kundër Egnatias e kemi përgatitur që nuk duhet t’i lemë asgjë rastësisë pasi përballë kemi një ekip shumë të mirë. Ndeshjen do mundohemi ta zgjidhim shpejt dhe kjo gjë të na japë qetësinë që dëshirojmë, por që nuk duhet të bëjmë shumë gabime, të mbrohemi mirë dhe të fitojmë. Jemi me moral të mirë, kemi kualitete dhe do tentojmë të bëjmë mirë deri në fund.
Pra, prisni vetëm fitore në këtë ndeshje?
Me Egnatian do te jetë një ndeshje e fortë pasi një tri pikësh na jep shumë moral për vazhdimësinë. Shpresoj ta fillojmë aty ku e lamë me Tiranën. Kohët e fundit kemi bërë ndeshje të mira dhe arritëm të largohemi nga vendi i 9-ë. Të gjithë çunat kohët e fundit kanë qenë në formë dhe ky është detaj që krijon optimizëm.
Cili është çelësi i suksesit që kjo Teutë ka shumë harmoni brenda saj?
Ne jemi një ekip që kemi ecur përpara si grup dhe do ecim si grup. Nuk kemi një lojtar që na bën ta humbasim apo ta fitojmë ndeshjen. Duhet të jemi të përqendruar. Kemi kualitet, si përpara si mbrapa, për të bërë më shumë, për të bërë rezultat dhe ta mbrojmë rezultatin. Vlerat tona i dimë dhe shpresoj që t’i tregojmë.
Deri kur mund të arrijë Teuta në këtë sezon?
Sa i përket objektivit përfundimtar nuk mund të bëj parashikime, por e sigurt është se duhet të luftojmë fort për të bërë të mundur të ngjitemi sa me lart në renditje, megjithëse do jetë një ndeshje tepër e vështirë, por edhe e bukur.
Z. QYPI-PANORAMASPORT.AL













